“Shqip” nga Gjirokastra, “Cikli i luftës”

24/11/2014 00:00

Emisioni “Shqip” zhvendoset sonte në orën 21:00 në Gjirokastër, në Muzeun Etnografik të qytetit, të njohur ndryshe si shtëpia e Enver Hoxhës.

Një debat për historinë dhe vlerat e saj do të vijnë sonte, në një emision që tregon se si mund të përfitojmë nga e shkuara dhe si mund të përdorim objektet e saj për turizëm.

Emisioni “Shqip” i kushtoi 70-vjetorit të çlirimit të vendit, këtij guri kilometrik të historisë sonë, një cikël emisionesh që solli për herë të parë këndvështrimet e shumta mbi historinë, nga historianë, veteranë, dëshmitarë të luftës dhe studiues.

Dëshmitë për “Marrëveshjen e Mukjes” dhe “Konferencën e Bujanit” zbuluan copëza të panjohura të historisë, që ende krijojnë sensibilitete në ditët tona.

Pjesë e udhëtimit për historinë e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore u bënë edhe rrëfimet për “Masakrën e Borovës”, duke sjellë në kohërat e reja nevojën për të shfaqur dimensionet e së shkuarës, si atraksione turistike.

“Shqip” sjell sonte një tjetër debat për historinë, si pasuri kombëtare dhe përfitim ekonomik, përtej debatit që ndan e përçan. Historia mund të na bashkojë në turizëm.

Top Channel