Forumi ekonomik i Vjenës, Rama: Koha për projekte rajonale

24/11/2014 00:00

Në kryeqytetin e Austrisë po zhvillohet Forumi Ekonomik i Vjenës, me
synim promovimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të Adriatikut dhe
Detit të Zi.

Me pjesmarrjen e kryeministrave nga vëndet e rajonit u diskutua  mbi zhvillimet e fundit ekonomike në rajon e më gjerë. Kryeministri Edi Rama iu adresua me një fjalë, Forumit Ekonomik të Vjenës, i cili pati si temë qendrore “Vizione dhe përgjegjësi në një kohë të ndryshimeve”.

“Unë besoj se ajo për të cilën ne kemi veçanërisht nevojë sot e tutje është të përqendrohemi, në vendet tona dhe në rajon, në projekte të orientuara drejt rezultateve përmes qëllimeve dhe afateve të përcaktuara qartë. Falë një sërë reformash dhe një ndryshimi në qasjen e qeverisë ndaj komunitetit të biznesit, ne si Shqipëri patëm një hov të konsiderueshëm në vetëm një vit në Raportin e të Bërit Biznes: u ngjitëm 40 vende më lart”, tha Rama.
 
Përtej arritjeve tona personale, – tha Rama – rajoni ynë duhet të përfaqësojë gjithmonë e më shumë një treg shumë më të madh dhe duhet të bëjë një ndryshim të madh në qoftë se ofrojmë parashikueshmëri, qëndrueshmëri dhe të gjejmë mënyra më kreative për t’a bërë rajonin më interesant.
 
“Është gjithnjë e më e qartë se ajo që ne kemi nevojë dhe ajo që ne nuk mund të sigurojmë me mjetet tona, të ndarë nga njëri tjetri, janë projektet në shkallë rajoni; projektet e infrastrukturës, projektet e sigurimit të energjisë dhe projektet e turizmit, dhe akoma më shumë gjëra që do bëjnë investitorët të kenë akoma më shumë besim dhe do të bëjnë që rajoni të jetë shumë më tërheqës për investitorët e mëdhenj. Politikisht, deri tani ia kemi dalë, por tani duhet t’ia dalim edhe ekonomikisht dhe kjo duhet të bëhet krah për krah me Europën”, theksoi Rama.

Top Channel