Të jesh police, s’mjafton vetëm praktika

24/11/2014 00:00

T’u bashkohesh forcave të sigurisë, sidomos policisë që është edhe vija e parë në luftën kundër të gjitha llojeve të krimit kërkon një përgatitje të veçantë, arsimore dhe fizike, por në Indonezi kjo nuk mjafton; të paktën për femrat.

Në vendin e madh të Azisë Jug-lindore prej vitesh është në fuqi një rregull për të gjitha femrat që duan t’i bashkohen policisë; të jenë të virgjëra.

Në një raport të publikuar së fundmi, organizata për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” thotë se në përfundim të testit fizik dhe mendor, të gjitha aplikantet fituese duhet t’i nënshtrohen edhe një testi tjetër; atij të virgjërisë.

Në kushte anonime raporti citon disa oficere të larta të policisë indoneziane që thonë se testi, edhe pse nuk është pjesë e rregullores, zbatohet prej disa vitesh dhe të gjitha kandidatet që nuk plotësojnë kushtin e virgjërisë nuk pranohen në Policinë Kombëtare.

Por më e keqja është se në faqen zyrtare të internetit të policisë indoneziane, veç kritereve fizike dhe ligjore, radhitet edhe virgjëria, megjithëse nuk është një normë e caktuar me ligj.

“Human Rights Watch” e cilëson zbatimin e këtij rregulli të pashkruar si diskriminues dhe i bën thirrje autoriteteve indoneziane që ta rishikojnë atë. Me më shumë se 250 milionë banorë, Indonezia është vendi me popullsinë më të madhe myslimane, megjithëse liritë e praktikimit të fesë nuk mungojnë dhe në vend bashkëjetojnë protestantë, katolikë, hinduistë dhe budistë.

Top Channel