PS: Basha e Berisha s’mund të protestojnë

24/11/2014 00:00

Duke iu përgjigjur qëndrimeve të Partisë Demokratike për vijimin e
protestave, Partia Socialiste, përmes deputetit Taulant Balla, deklaroi
se Berisha dhe Basha nuk kanë të drejtë të protestojnë.

Sipas Balles, Basha mbështet vjedhësit e energjisë, ndërsa Berisha është përgjegjës për gjithë rrënimin ekonomik të vendit.

“Ne respektojmë çdo protestë dhe çdo qytetar në protestë. Po nuk mund të respektojmë protestuesin Lulzim Basha dhe as protestuesin Sali Berisha. I pari është bërë zëdhënësi i njerëzve që s’duan t’i paguajnë dritat po duan të vazhdojnë t`i vjedhin. I dyti dihet, është përgjegjësi kryesor për të gjitha plagët e mëdha që ne po kurojmë me reformat tona. Ne nuk do ta rrisim çmimin e energjisë, Luli e Saliu gënjejnë për të mbledhur partinë e çoroditur nga 1 milionë shuplakat e 23 qershorit. Ne nuk i kemi rritur taksat, përkundrazi i kemi ulur për 95 % të të punësuarve apo të vetëpunësuarve me anë të biznesit të vogël. Luli e Saliu gënjejnë sepse e shohin që ekonomia, siç e konfirmon edhe FMN-ja, ka nisur të rimëkëmbet. Ata nuk e duan rimëkëmbjen e ekonomisë, duan anarshi e turbullirë prandaj bëjnë thirrje për mospagim dritash e për shtet policor. Nëse Luli dhe Saliu kërkojnë të nxisin anarshinë dhe turbullinë, nëse duan mosrespektimin e ligjit, është zgjedhja e tyre. Por kjo mazhorancë është e vendosur për të ndërtuar shtet, për të respektuar ligjin, pasi vetëm kështu mund të vazhdojnë reformat dhe rimëkëmbja e ekonomisë”, tha Balla.

Top Channel