Britania në “alarm” nga kërcënimi i terrorizmit

24/11/2014 00:00

Britania përballet me kërcënimin më të madh prej terrorizmit në historinë e saj, teksa ka zmbrapsur rreth 40 komplote të fuqishme që prej sulmit të kamikazëve në Londër, në vitin 2005, bëri të ditur këtë të hënë Sekretarja e Brendshme në Britani, Theresa May.

Qeveria do të miratojë të mërkurën ligje të reja për të sfiduar militantët, shtoi May, përfshi legjislacionin që e bën më të lehtë për shërbimet e sigurisë të ndjekin agresorët online, si dhe të kontrollojnë nëse luftëtarë të radikalizuar janë duke fluturuar drejt Britanisë.

“Kur agjencitë e sigurisë dhe të inteligjencës na bëjnë të ditur se kërcënimi, me të cilin përballemi tashmë, është më i rrezikshëm se sa kurrë më parë, apo që prej shtatorit të vitit 2011, atëherë duhet t’u vëmë veshin”, tha Sekretarja e Brendshme britanike në një fjalim.

Kompanitë e sigurimeve do ta kenë të ndaluar të ofrojnë pagesa dëmshpërblimi sipas legjislacionit të ri dhe kompanitë ajrore do të pezullohen nëse dështojnë të japin informacione mbi pasagjerët që fluturojnë për në Britani, shtoi ajo.

Qeveria ka thënë se britanikët që mund të rikthehen nga luftimet në Siri dhe Irak përbëjnë një nga kërcënimet më serioze. May tha se rreth 40 komplote terroriste janë zmbrapsur që kur në Londër, në vitin 2005, 4 të rinj britanikë shpërthyen bomba duke vrarë 52 persona.

“Thuajse të gjitha këto sulme janë parandaluar”, tha May. “Por, terroristëve iu duhet vetëm pak fat, për t’ia dalë mbanë qoftë edhe një herë të vetme”.

Masat e reja të planifikuara përfshijnë edhe dhënien e fuqive ndaj policisë për të bllokuar për 30 ditë pasaportat e britanikëve apo shtetasve të huaj, të dyshuar se po fluturojnë për të marrë pjesë në aktivitete të lidhura me terrorizmin, tha May.

Ligjet e reja do ta bëjnë më të lehtë për policinë të identifikojnë se cili po e përdor shërbimin e internetit në një periudhë të caktuar.

Top Channel