Ukraina, referendum për anëtarësimin në NATO

24/11/2014 00:00

Ukraina do të mbajë një referendum për të vendosur nëse do t’i bashkohet apo jo NATO-s kur të ketë përmbushur kriteret e anëtarësimit.

Lajmin e ka bërë të ditur presidenti Petro Poroshenko. Në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentetn e Lituanisë, Poroshenko tha se e ka zgjidhur çështjen e kritereve, por nuk dha detaje.

Javën e kaluar, zëdhënësi i Kremlinit kërkoi “100 për qind garanci” nga Perëndimi se Ukraina nuk do t’i bashkohet NATO-s.

Vetë Aleanca deklaron se: “Nuk ka një listë kriteresh fikse dhe strikte për të ftuar shtete të reja që t’i bashkohen strukturës sonë”.

Vendet mund të pranohen në NATO nëse besojnë se do të kontribuojnë për sigurinë dhe stabilitetin në zonën e Atlantikut të Veriut.

Analistët deklarojnë se Ukraina, e destabilizuar për shkak të luftimeve, ka pak gjasa të shihet si kandidate e përshtatshme për t’u anëtarësuar.

Zëdhënësi i presidentit Putin, Dmitry Peskov ka akuzuar NATO-n për shkelje të premtimit historik duke iu afruar gradualisht kufijve të Rusisë. Ai tha për BBC se Aleanca po përpiqet të prishë “balancën e pushtetit”.

Tre vende nga ish-blloku sovietik iu bashkuan NATO-s në vitin 1999, duke përfshirë Lituaninë dhe shtete të tjera baltike.

Ditën e hënë, Lituania iu bashkua nismës së vendeve të NATO-s për t’i ofruar asistencë ushtarake Ukrainës. Por nuk dihet nëse ndihma e presidentes Dalia Grybauskaite përfshin edhe pajisje ushtarake.

Top Channel