Kryetari i Kuvendit të Turqisë, Xhemil Çiçek, gjatë qëndrimit të Shkup deklaroi se ruajtja e paqes në Ballkan varet nga stabiliteti i Maqedonisë.

Ai tha se, Ankaraja është e angazhuar në ruajtjen e sigurisë në rajon dhe në këtë kuadër mbështet fuqishëm anëtarësimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO.

“Turqia mbështet fuqishëm përpjekjet për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Maqedoni. Në këtë drejtim mbështesim fuqishëm anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në anën tjetër i ndjekim edhe përpjekjet e Maqedonisë për tu anëtarësuar në BE. Bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të jetë shumë i rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen në rajon”, deklaroi Çiçek.

Kryeparlamentari turk dhe homologu i tij maqedonas Trajko Veljanovski kanë biseduar edhe për terrorizmin si kërcënimin për paqen dhe sigurinë.

Veljanovski premtoi se kontributi i të dy vendeve në luftën kundër terrorizmit nuk do të mungojë asnjëherë, ndërsa Çiçek, tha se për të fituar këtë luftë nevojitet angazhim pa kompromis i të gjitha vendeve, veçanërisht i shteteve më të fuqishme.

“Maqedonia dhe Turqia janë faktorë që kontribuojnë për sigurinë në rajon dhe më gjerë. Në këtë drejtim kemi dhënë kontribut gjithmonë dhe po vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë”, deklaroi Veljanovski.

Gjatë takimeve që ka realizuar me kreun e shtetit maqedonas, kryeparlamentari turk ka biseduar gjatë edhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për përfaqësimin e drejtë të pakicës turke në institucionet shtetërore në Maqedoni.

Top Channel