Braçe: Krizën e shkaktuan demokratët

24/11/2014 00:00

Deputetët e mazhorancës në komisionin e ekonomisë kanë sulmuar opozitën si shkaktaren e krizës së thellë financiare të sistemit energjitik.

Erjon Braçe tha se qeveria aktuale po merr kosto politike për një krizë që e shkaktuan demokratët gjatë qeverisjes së tyre.

“Të mos dalin në rrugë me sahat në dorë për të folur për këto gjëra. Të vijnë këtu dhe të ballafaqohemi për çdo qindarkë. Nuk e kemi mohuar kurrë se situata është kritike dhe se po marrim kosto politike përballë çdo qytetari për ta shpëtuar njëherë e mirë sistemin”, deklaroi Braçe.

Sipas Braçes, gjatë kohës që ishte në qeveri Sali Berisha e rriti me dy herë çmimin e energjisë për konsumatorët, duke iu ngarkuar atyre sipas tij, koston e politikave korruptive me sektorin.

“Mund t’ju rikthej pak pas dhe t’ju kujtoj çmimet 4.50 lekë për fashën e mbrojtur dhe më pas 8.90 lekë?! A e kuptojnë qytetarët se çfarë u ka bërë ky njeri, që sot pretendon se i merr në mbrojtje ndaj rritjes së vcmimit të energjisë, në këto 8 vjet qeverisje”, u shpreh Braçe.

“Çdo ngatërresë mes luftës kundër evazionit në energji, vjedhjes dhe dëmit që i bëhet energjisë, në reformat rregullatore të tarifave apo të transformimit të këtij sektori, është dashakeqe”, tha më pas anëtari i komisionit, Anastas Angjeli.

Dy ditë më parë, së bashku me sindikatat opozita mbajti një proteste masive në Tiranë kundër rritjes së taksave dhe çmimit të energjisë.

Top Channel