Doganat, lehtësira për biznesin e ndershëm

24/11/2014 00:00

Bizneset që kanë një histori transparente me Drejtorinë e Doganave do të përfitojnë nga proçedurat e thjeshtuara të cilat ulin koston dhe kohën e të bërit biznes.

“Kostot e magazinimit bëhen zero, pasi mallrat nuk kanë nevojë për këtë logjistikë. Kostoja e transportit reduktohet ndjeshëm pasi mallrat nuk kanë nevojë të presin mjetin e transportit për të bërë formalitetin doganor, siç është tani. Gjithashtu, kontakti me Doganën në pjesën më të madhe do të jetë elektronik, përmes mesazheve. Kjo rrit efiçencën, transparencën dhe ul burokracinë e shmang korrupsionin”, deklaroi drejtoresha e përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali.

“Sa më i rregullt të jesh, aq më të lehtë e ke të bësh biznes. Kjo është filozofia”, deklaroi zv.ministri i Financave, Ervin Mete.

Proçedurat e thjeshtësuara do të hyjnë në fuqi nga shkurti i vitit që vjen. Biznesi i cilësoi ato një hap pozitiv, por shprehu shqetësimin lidhur me aplikimin e çmimeve të referencës në dogana.

“Nëse ka kritere për zbatimin e çmimit të referencës, ne dëshirojmë të dimë cilat janë këto kritere dhe dokumenta shtesë që duhen plotësuar për mos aplikimin e këtij çmimi”, shtroi pyetjen një prej përfaqësuesve të biznesit.

“Kemi zotimin që nga janari të eleminohet aplikimi i çmimit të referencës për mallrat që vijnë nga vendet e BE. Sigurisht, ka vende me risk të lartë, për shkak të pamundësisë për të verifikuar faturat fiskale, për të cilat ne nuk mund t’i heqim çmimet e referencës pasi do të shkaktonim çrregullim të tregut”, u përgjigj Spiropali.

“Biznesi vijon të kërkojë që proçedura e fundit të mos shkojë tek e para. Që do të thotë: një sipërmarrës që nuk plotëson 6 kushte të shkojë tek çmimi i referencës dhe jo të shkojë atje nëse plotëson kushtet e mëparshme”, sqaroi për mediat Luan Bregasi, president i “Biznes Albania”.

Top Channel