Energjia, Gjiknuri: Shitet sërish nën kosto

24/11/2014 00:00

Edhe pse çmimi i energjisë elektrike do të ndryshojë nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qeveria thotë se ai do të mbetet sërish më i ulët se kostoja.

Ministri Damian Gjinkuri tha se shteti do të vazhdojë të mbajë përsipër një pjesë të kostos, për të mos ia kaluar atë konsumatorëve.

“Edhe me tarifat e reja që do të nxjerrë ERE, prapë ata nuk do mbulojnë të gjitha kostot për shkak të këtyre elementëve socialë. Shteti do të mbajë barrën, por më pak. Shpresojmë që vitin tjetër 120 milionë dollarë më pak i ekspozuar për shkak të masave radikale. Që do të thotë reduktim humbjesh me 5 për qind dhe rritje e investimeve”, deklaroi Gjiknuri.

Qeveria ka deklaruar se do të kompensojë rreth 204 mijë familje në nevojë nga rritja e çmimit, por ka përjashtuar mundësinë e një amnistie për gjobat dhe detyrimet e vjetra. Sipas Gjinkurit, për këto detyrime do të ketë një skemë lehëtsuese.

“Po mendojmë të ketë lehtësime në pagesa, duke i bërë të shtrira në kohë apo me incentiva, të cilat do të jenë së shpejti në zyrat e klientit të koorporatës. Por të jetë e qartë se falje nuk do të ketë”, theksoi Gjiknuri.

Bashkë me Bankën Botërore, qeveria ka hartuar një plan katërvjeçar për ta nxjerrë sektorin nga kriza, i cili parashikon 400 milionë dollarë investime, uljen e humbjeve me 5 për qind çdo vit, por edhe ndryshimin e tarifave. Këto masa sipas Gjinkurit do të bëjnë që në 2018, kompanitë e sektorit të jenë fitimprurëse.

Top Channel