Maratona, vrapi që u kthye në simbol të qëndresës

24/11/2014 00:00

Për vrapuesit në të gjithë botën, maratona është një garë simbol, një objektiv për t’u arritur…

Mijëra njerëz rendin drejt “finish”-it, por vetëm disa kanë fatin ta përfundojnë atë, nëse i rezistojnë lodhjes dhe etjes.

Maratonomakët e ditëve tona, distancën simbol 42 kilometra në fillim nuk e respektonin. Vetëm në vitin 1924, gjatë maratonës olimpike, u vendos që të ishte standarde në të gjithë botën.

Më parë, ajo varionte nga 40, 42 e deri në 75 kilometra. Në vitin 390 pas Krishtit, ushtari grek “Maratonomaku” vrapoi pa ndalesë nga qyteti i Maratonës deri në Athinë, 42 km, për të njoftuar fitoren ndaj persëve.

Që nga ajo kohë, eventi u quajt maratonë për nder të lajmëtarit. Sot, shumë të njohura janë maratonat e Nju Jorkut, Londrës, Bostonit, Berlinit dhe Amsterdamit, por duhet theksuar se bëhet fjalë për një disiplinë, që sforcon në maksimum fizikun tonë, i cili nuk është genetikisht i përshtatshëm për lodhje të tilla ekstreme.

Studim i “American Journal of Cardiology” ka arritur në përfundimin se rreziku për një infarkt të miokardit dyfishohet te njerëzit që praktikojnë këtë disiplinë. Normalisht amatorët përpiqen që të përshkojnë distancën 30-32 km, që me garën e parë, por atletët më ekspertë sigurisht mund të vrapojnë dyfishin e distancës.

Edhe pse gara të ndihmon të mbash muskujt në punë, mjekët rekomandojnë mbajtjen e një niveli të qëndrueshëm vrapi, veçanërisht për fillestarët. Uji dhe përbërës të kripur duhen konsumuar rregullisht gjatë gjithë maratonës, për të shmangur dehidratimin.

Zakonisht ekziston një kohë limit prej 6 orësh, deri sa rruga të rihapet për trafikun normal të mjeteve, edhe pse maratonat më të rëndësishme qëndrojnë hapur më gjatë. Është normale që të provosh dhimbje të forta muskujsh pas garës.

Pjesës më të madhe të vrapuesve i duhet një javë për të marrë veten nga sforcimet muskulare… Kush është gati të vrapojë në maratonë?

Top Channel