Talentet e reja muzikore të shkollës 50-vjeçare “Dëshmorët e Lirisë”

24/11/2014 00:00

Geri është një talent i rrallë në violinë. Sapo ka mbushur 7 vjeç. Është nxënës në klasën e dytë në shkollën “Dëshmorët e Lirisë” në kryeqytet, e njëkohësisht ndjek mësimet në klasat e muzikës. Por, mësuesja e tij Zhaneta thotë se në gjithë këto vite punë, Geri për të ka qenë një befasi.

“Është një fëmijë vërtet i jashtëzakonshëm. Për mua është eksperienca e parë që një fëmijë i klasës së dytë luan programin e klasës së tretë apo të katërt. Ai është një vit përpara i avancuar. Është një fëmijë që punon me këmbëngulje, por edhe shumë i vëmendshëm dhe ka një vesh absolut”, tha mësuesja e Gerit, Zhaneta.

Jo gjithkush e di, se në këtë shkollë përgatiten instrumentistë me programe të njëjta, me ato të Liceut Artistik. Shkollë, e cila u hap dyert shumë talenteve të reja. Një prej tyre është edhe e vogla Kaltrinë.

“Më pëlqen shumë që të luaj në piano, sepse kam një pasion të madh për të. Dëshirën dhe pëlqimin ndaj pianos e kam arritur falë dëgjimit të motrës sime kur isha e vogël”, thotë Kaltrina.

Mësuese Bardhylka thotë se Kaltrina i ka të gjitha premisat për të shkëlqyer në skenat muzikore.

“Kaltrina është një vajzë me shumë pasion për instrumentin e pianos, me shumë dëshirë. Në të gjitha kërkesat që unë kam ndaj saj, ajo më përgjigjet shumë mirë dhe shpresoj se do të ketë një të ardhme të ndritur përpara”, deklaron mësuesja e Kaltrinës.

Këta nxënës i nisin mësimet muzikore që në klasën e parë, duke u bërë pjesë e edukimit muzikor nëpërmjet konkursit, që zhvillohet çdo vit në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”. Kështu ia nisi edhe Ami Muka, sot nxënëse në klasën e pestë dhe fituese e shumë çmimeve të rëndësishme muzikore për moshën e saj.

“Është një nxënëse e talentuar dhe shumë sistematike, është nxënëse fituese vit pas viti, bëhet fjalë për çmime të dyta dhe të para kombëtare. Është një konkurs që organizohet nga EPTA e pianistëve dhe bëhet çdo vit në qershor”, thotë mësuesja e Amit.

“Piano është diçka shumë e rëndësishme, zë një vend të rëndësishëm në jetën time. Besoj se kam talent për të dhe dua të bëhem një pianiste e madhe, por për këtë duhet vazhduar të punoj”, thotë vetë Ami.

Krahas edukimit të përgjithshëm, vogëlushët e klasave muzikore, çdo ditë nga ora 10:00 deri në orën 15:00, ndjekin mësimet për violinë, violinçelë, piano dhe firzamonikë. Në një klasë të boshatisur gjejmë Ervisin dhe Kostandinin, duke u ushtruar për mësimin e radhës. A do jenë ata, dy artistë të mëdhenj?

“Kam filluar t’i bie violinës që në klasë të parë dhe më pëlqen shumë. Ushtrohem rreth 1 ose 2 orë çdo ditë me violinën. Në këtë letër kam disa ushtrime notash, për të mësuar gishtat. Nuk më duken fare të vështira”, shprehet Ervisi.

“Kur të rritem dua të bëhem violinist dhe një të tillë, të preferuar, kam Tedi Papavramin”, thotë Kostandini.

Disiplinimi muzikor nis shumë herët dhe sigurisht që vogëlushët vështirë se ndahen lehtë nga lojërat dhe tekat e moshës së tyre.

“Kam një fëmijë që është në klasë të dytë, që kishte një natyrë shumë të çuditshme. Në momentin që ishte duke bërë mësim, lodhej, dhe mënyrën e vetë të lodhjes e shprehte duke lënë instrumentin dhe duke u shtrirë përtokë. Ishte shumë e çuditshme sepse nuk më kishte ndodhur asnjëherë. Fillimisht e mora si me sportivitet, por kur pashë që këtë sjellje e shfaqte edhe me prindin dhe në klasë, mendova ta stimuloja pak. Ai kishte një vesh shumë të mirë, ishte inteligjent dhe i kapte gjërat shumë shpejt. Por ushtrimi ishte një sfidë më vete për të, sepse të qëndrosh mbi instrument për 20 minuta nuk është e lehtë. E kapërcyem këtë, duke i thënë kur lodhej se do të rrinim bashkë, ndaj dhe ai nuk e hoqi këtë sjellje”, thotë mësuese zhaneta.

Megjithatë, edhe pse të vegjël, fëmijëve u duhet të mendojnë me vizione të mëdha.

Top Channel