Erdogan: Gratë s’mund të jenë të barabarta me burrat

24/11/2014 00:00

Presidenti turk, Recep Taip Erdogan u rikthehet deklaratave të tij kontradiktore, këtë herë mbi një komentim mbi barazinë gjinore, që sipas tij “është kundër natyrës”.

Gjatë fjalës së mbajtur në një konferencë të grave në Stamboll, Erdogan tha se “femrat nuk mund të bëjnë të njëjtat punë si meshkujt pasi disa prej këtyre punëve bien ndesh me “natyrën e delikate të femrave”.

“Femrat dhe meshkujt nuk mund të jenë të barabartë. Feministët nuk e kuptojnë rëndësinë e të qenurit nënë në Islam. S’mund të trajtosh në të njëjtën mënyrë në një ambient pune një grua shtatzënë dhe një burrë. Femrat nuk mund të bëjnë të njëjtën punë si meshkujt për shkak të natyrës delikate”, deklaroi Erdogan.

Deklarata të tilla të Erdogan, megjithëse ngjallin zemërimin e liberalëve janë bërë thuajse të zakonshme. Më herët ai u ka kërkuar femrave turke që të lindin nga 3 fëmijë, dënoi abortin, madje edhe lindjen me operacion.

Për turqit më sekularë politikat qeverisëse të Erdogan, si gjatë kohës kur drejtoi vendin si Kryeministër, edhe tani që është President, po e cojnë vendin në një drejtim të rrezikshëm fetar.

Top Channel