Shërbimi për sëmundjet e zemrës

24/11/2014 00:00

Duke nisur nga kjo e hënë, një pacient me probleme të zemrës, që ka nevojë të vendosë një “pacemaker” që rregullon ritmin e rrahjeve, të bëjë një angiografi koronare, ndërhyrje valvolare e të tjera, mund t’i marrë këto shërbime falas edhe në spitale jopublike.

Shpërndarja e pacientëve do të bëhet nga Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, në bazë të regjistrit kombëtar.

“Në Shërbimin Kombëtar, në bashkëpunim me Fondin, krijohet regjistri i personave që mund të përfitojnë nga kjo paketë. Ndërsa shpërndarja nëpër institucione të ndryshme bëhet nga Fondi, pra nuk është detyrë e shërbimit. Do t’iu ofrojmë mundësinë, që institucionet publike të marrin pjesë të barabartë nga lista e pritjes. Pastaj do të shohim si do të shkojë zbatimi i tyre në institucionet jopublike. Ne kemi krijuar në Fond një sektor të veçantë, që monitoron zbatimin e paketave”, tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Shefi i Shërbimit të Kardiologjisë, profesor Artan Goda, e vlerëson këtë si një sfidë të ndërmarrë nga qeveria për sistemin shëndetësor, ku publiku dhe privati konsiderohen bashkëpunëtorë.

“Për herë të parë krijohet një treg shëndetësor, i cili ka munguar në vendin tonë, dhe që normalisht duhet të vijë duke u zgjeruar, ku shteti merr përgjegjësitë e veta për mbulimin e plotë të të gjithë shpenzimeve të pacientit”, deklaroi Prof. Dr. Artan Goda, shef i Shërbimit të Kardiologjisë.

Fondi i Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka lidhur kontrata me 5 spitale jopublike, të cilat do të ofrojnë këto shërbime me të njëjtën kosto si në spitalin publik, shpenzimet e të cilave do të mbulohen nga Fondi.

“Aktualisht po financojmë paketën e dializës, sipas çmimit të përcaktuar sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, falë së cilës do të përfitojnë rreth 900 pacientë në spitalet publike dhe jopublike. Gjithashtu jemi të gatshëm, duke filluar nga ky moment, që të financojmë edhe paketat e kardiologjisë, kardiokirurgjisë dhe transplantet edhe në spitalet jopublike”, tha Astrit Beci, drejtor i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Spitalet jopublike, të cilat do të ofrojnë këto paketa shëndetësore, do të monitohen për cilësinë e shërbimit, si dhe përballimin e kapaciteteve, shpenzimet për të cilat do të mbulohen 100%.

Top Channel