Rreth 300 familje në fshatin Cangonj të rrethit të Devollit prej mëse 3 vitesh kalojnë çdo ditë në një rrugë që i ngjan më tepër një kanali gjigand.

Pas një projekti të premtuar, i cili u vu në zbatim vetëm për pjesën e trotuarëve, ndërprerja e punimeve për asfaltimin e rrugës ka bërë që banorët të protestojnë për shkak se gjendja aktuale është bërë pengesë për jetesën dhe punën e tyre.

Mes gropave të stërmëdha e të mbushura me ujë nuk mund të kalojnë as mjetet e as këmbësorët, çka e bën të pamundur jetesën normale të këtyre banorëve.

Reagimi i banorëve është konsideruar i drejtë edhe nga kreu i komunës Progër, i cili ka sqaruar se kjo rrugë ka mbetur përgjysmë për shkak të bllokimit të fondit.

Sipas tij, vlera prej 300 milionë lekësh e akorduar për këtë investim nuk i është dhënë e plotë komunës, çka ka paralizuar përfundimin e punimeve. Rrugë të tilla, lënë ne mes po çojnë dëm edhe investimet e bëra më herët.

Top Channel