Një ekspozitë krejtësisht e veçantë është çelur në hollin e hotel “Rogner”, në fokus të së cilës ishte trashëgimia materiale dhe jomateriale shqiptare.

Iniciativa për ekspozenë me produkte shqiptare vjen në atmosferën festive të nëntorit dhe 70-vjetorit të Çlirimit të vendit. Në çeljen e ekspozitës, drejtori i përgjithshëm i “Rogner”, Florian Ilse, u shpreh i kënaqur që, më në fund, për publikun vjen një eveniment i tillë, jo në një ditë, por tashmë në një javë, duke e quajtur aktivitetitn “Albanian week”.

“Ne kemi festuar një sërë ditësh kombëtare, por asnjëherë një ditë shqiptare kombëtare, ndaj dhe jam i lumtur, që kjo është koha e duhur për të bërë diçka për këtë, më në fund. Jemi të nderuar, që të kemi prezentë në këtë festë ministren e Kulturës, pasi kush më mirë se sa një shqiptare mund të flasë për trashëgiminë kulturore shqiptare”, u shpreh Florian Ilse, drejtor i përgjithshëm i “Rogner”-it.

“Në radhë të parë falemnderit mikpritësve të ‘Rogner’-it, që ndanë këtë javë dhe besoj jo vetëm – sapo kemi rënë dakord që duhet të shkojë më shumë se sa një javë – sepse ka kaq shumë gjëra nga trashëgimia kulturore shqiptare për të treguar, sa një javë nuk mjafton as t’u marrësh erë. Së dyti, dua të them se në konceptin tonë, trashëgimia kulturore në përfytyrimin kolektiv përgjithësisht përkthehet në gurë e drurë, apo edhe monumente, por harrojmë atë që jeton me ne çdo ditë, që është trashëgimia kulturore jomateriale. Dhe që në politikat e reja kulturore të Ministrisë së Kulturës jemi duke u dhënë një rëndësi shumë të madhe”, tha ministrja Kumbaro.

Ministrja e Kulturës e cilësoi një ngjarje për trashëgiminë kulturore këtë ekspozitë, e cila paraqet finesën, aristokracinë, fisnikërinë, artin dhe shpirtin, që ka në traditën e kostumografisë shqiptare.

Ekspozita prezanton për herë të parë në publik veshjet dhe aksesorët e Shahnisha Libohovës, motrës së Ali Pashë Tepelenës, objekte këto që i përkasin garderobës personale të saj dhe datojnë në fillim të shekullit të 19.

Galeria “Marubi” prezanton gjithashtu një koleksion fotosh dhe dokumentesh me rëndësi, në këtë odë trashëgimie. Mjeshtri Llesh Biba sjell skulpturat në dru, koleksionistja Linda Spahiu vjen me 2 veshje të fundshekullit të 19 dhe një flamur shqiptar të qëndisur me fije ari, të vitit 1941.

Artizanë nga zona të ndryshme të Shqipërisë prezantojnë punime artizanale me motive, që përfaqësojnë trevat e tyre. Verë, mjaltë dhe konjak shqiptar, si edhe ëmbëlsirat tradicionale nxjerrin në pah veçantinë e kulinarisë shqiptare.

Top Channel