Pamjet e dhunës, huliganët me maska djegin e shkatërrojnë stadiumin

24/11/2014 00:00

Ngjarjet e turpshme në stadiumin e Elbasanit duket se do të shënojnë një pikë kthese sa i përket huliganëve që hyjnë në stadiumet shqiptare dhe që janë më pak të interesuar për lojën e më tepër për të shkatërruar, prishur e rrezikuar shumicën e tifozëve që shkojnë në stadium për qëllimin e vetëm, atë të argëtimit nga një ndeshje futbolli.

Top Channel ka siguruar disa nga pamjet e kamerave të sigurisë të stadiumit “Elbasan Arena”. Pamje në të cilat duken qartë grupimet e tifozëve, një pjesë e tyre e mbuluar me kapuçë, në momentet e tensionit.

Shkulja e stolave dhe goditja me flakadanë kanë qenë gjestet më të rrezikshme në stadium, por si çdo e keqe ka edhe një të mirë. Policisë i janë vënë në dispozicion këto pamje dhe duket të jetë më e thjeshtë arrestimi i huliganëve, që veç stadiumit dëmtojnë dhe prishin e imazhin e futbollit shqiptar.

Ndoshta arrestimi i tyre mund të jetë një hap i parë drejt zgjidhjes, pasi janë klubet që teorikisht ata shkojnë për të mbështetur që po vuajnë dënimet, sportive e financiare. Tirana nga tifozët e saj është penalizuar me 14 ndeshje pa tifozë dhe grupimi Fanatics për të gjithë vitin jashtë stadiumit.

Por edhe pse në pamje të parë ky ishte një grusht i hekurt sportiv, ngjarja e Elbasanit konfirmon se nuk ka funksionuar dhe vetëm ndëshkimi i ashpër, jo vetem sportiv, por edhe ai penal është zgjidhja e shpejtë për të veçuar përfundimisht tifozeritë, në sportëdashës dhe huliganë.

Hapat e mëtejshëm dhe që po diskutohen do të lidhen me evidentimin e tifozëve të dhunshëm dhe ndalimin e tyre në të gjitha stadiumet, duke e bërë hyrjen në stadium me kartë identiteti dhe stadiumin një vend të sigurt dhe argëtues.

Top Channel