Fushata kundër dhunës ndaj grave

25/11/2014 00:00

Në Shqipëri ka nisur fushata 16 ditore kundër dhunës ndaj grave. Në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ishte e ftuar zonja Fabiola Egro nga rrjeti “Sot për të ardhmen”, e cila foli në lidhje me fushatën dhe për ndryshimet që ajo ka pësuar.

Pandi Gjata: Nisi një fushatë, por ndryshe nga ato që janë organizuar gjithë këto vite në Shqipëri, ku është ndryshimi?

Fabiola Egro: Ndryshimi i kësaj fushate filloi që vitin e kaluar. Shqipëria i është bashkuar fushatës globale sociale për përfshirjen e djemve dhe burrave në luftën kundër dhunës ndaj gruas, në luftën kundër dhunës gjinore dhe për barazi gjinore, ky është ndryshimi. Prej 20 vjetësh, unë jam aktiviste e lëvizjes së gruas për barazi gjinore dhe gjatë gjithë këtyre viteve kam punuar dhe luftuar për barazinë dhe emancipimin e gruas, duke takuar dhe duke mbështetur gra të dhunuara, familje dhe fëmijë, duke qenë në terren çdo ditë. Cili është ndryshimi? Ndryshimi është shumë i madh, pasi për 20 vjet të tëra ne kemi shkuar fshat më fshat, qytet më qytet, duke mbrojtur gratë. Ndërkohë pa dashur kemi ngritur edhe barriera, ku jemi vënë në dy llogore të ndryshme, gratë që mbështesin gratë dhe burrat në anën tjetër. Në këtë mënyrë janë futur të gjithë në një kallëp, burrat që janë dhunues dhe ata që mund të jenë mbështetës shumë të mëdhenj të grave dhe vajzave. Atëherë pse të mos ngremë stereotipin pozitiv të burrave të emancipuar që ne kemi dhe shohim përditë. E gjitha kjo është ndryshimi dhe risia e lëvizjes.

Pandi Gjata: Sa ka gjetur mbështetje te djemtë dhe burrat kjo lëvizje?

Fabiola Egro: Unë jam surprizuar. Kam 20 vjet që merrem me terrenin, që përpiqem të mbështes dhe të ngre të gjitha mekanizmat që mbrojnë gruan e dhunuar dhe kam harruar të shoh pjesën tjetër. Ne filluam vitin e kaluar në përfshirjen e djemve dhe burrave në luftën kundër dhunës dhe pas një viti jam shumë e lumtur, pasi 11 ambasadorët që ne kishim zgjedhur, artistë të shquar e sollën rezultatin sot. Slogani i këtij viti është “Bëje botën portokalli” dhe portokalli është ngjyra që përfshin djemtë dhe burrat në lëvizje. Ndërkohë shohim që shumë të rinj dhe jo vetëm i janë shtuar lëvizjes dhe janë gati të japin mesazhe paqeje, dashurie, mesazhe mbështetjeje për nënat, vajzat dhe gratë e tyre. Ideja është që jo vetëm të flasim dhe të japim mesazhe dhe slogane, por le të shkojë mesazhi direkt në zemrat e secilit, le të flasim sy më sy për luftën kundër dhunës.

Pandi Gjata: Sipas statistikave, sa gra dhe vajza të dhunuara kemi në Shqipëri dhe a ka ndoshta më shumë nga ato që e pranojnë dhunën , por ngurojnë ta denoncojnë atë?

Fabiola Egro:
Në fakt nuk do të doja të përmendja shifra, pasi ato shpesh të gënjejnë. Por fatkeqësisht dua të them se nga viti në vit numri i grave të dhunuara është rritur ndjeshëm, shifrat janë alarmante, duket sikur janë shifra lufte. Ndoshta kjo mund të jetë edhe rezultat i ndërgjegjësimit të grave, duke denoncuar rastet e dhunës.

Pandi Gjata: Sa ka ndikuar ashpërsimi i ligjeve në denoncimin e rasteve dhe bërjes publike të tyre?

Fabiola Egro: Për të gjitha ato vajza dhe gra të dhunuara që nuk e dinë e them dhe e përsëris se ne Shqipëri kemi arritur të kemi ligjin, i cili e klasifikon dhunën si krim, çdo dhunues shkon menjëherë në burg. Ndërkohë ne kemi edhe disa mekanizma të cilat janë të ngritura dhe funksionojnë në mbrojtje të të dhunuarve, fëmijë, gra, apo edhe disa raste të izoluara të burrave. Një mekanizëm është sistemi i koordinuar i referimit, i cili thuajse funksionon në 26 qendra dhe ofron psikologë falas, avokatë falas dhe mekanizma që të drejtojnë në policia apo në strehëza. Unë vazhdoj të them se kjo nuk është zgjidhje, zgjidhja është të hapim zemrat dhe të flasim me burrat dhe me djemtë, t’i bëjmë ata promotorë të lëvizjes. Unë jam e bindur se edhe dhunuesit brenda vetes nuk duan të jenë të tillë.

Pandi Gjata: Si njëra prej aktivisteve që jeni marrë gati dy dekada me këtë çështje, në nisje të kësaj fushate cili është mesazhi që i jepni atyre vajzave dhe grave, të cilat kanë janë ende të ndrojtura për ta denoncuar dhunën?

Fabiola Egro: Mesazhi është shumë i qartë si mesazhi i lëvizjes, i cili këtë vit është “50 me 50 në bllok”. ‘Në bllok’ do të thotë të gjithë  së bashku burra dhe gra, si dhe në Bllokun e Tiranës, aty ku është jeta e natës dhe rinia. Ndërkohë që mesazhi im është të thyejmë stereotipet maskiliste dhe të fillojmë të thyejmë idenë tonë që dhunë nuk cilësohen vetëm vrasjet, por ajo fillon me gjeste të vogla. Mesazhi im është që asnjë vajzë dhe grua nuk duhet të ngurojë të deklarojë dhunën kur ajo ekziston.

Top Channel