Drogë në aksin Shqipëri-Itali, 22 të arrestuar

25/11/2014 00:00

Një rrjet trafiku ndërkombëtar droge nga Shqipëria në Itali është shkatërruar nga karabinierët e Torinos në Itali, që kanë vënë në pranga 22 persona.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave arrestimet janë kryer në mbarë vendin, nga Siçilia në jug deri në rajonin e Piemontes në veri.

Për momentin nuk saktësohet kombësia e tyre, por thuhet se janë shtetas shqiptarë dhe italianë.

Droga, e llojeve të ndryshme si heroinë, kokainë, hashash e marijuanë, fshihej në makina me fund të dyfishtë, të cilat udhëtonin fillimisht nga Shqipëria në Siçili dhe më pas për në Piemonte.

Në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve në fillim të muajit shefi i Drejtorisë Kombëtare të Antimafias, Franco Roberti vizitoi Shqipërinë, ku me homologun Adriatik Llalla nënshkruan një memorandum bashkëpunimi.

Pas takimit kokë më kokë Llalla tha per mediat se, trafikantët duhen goditur në asetet e tyre financiare.

Ndërsa kreu i Antimafias u shpreh se, organizatat kriminale po zhvillohen dhe egërsohen ndaj Italia dhe Shqipëria duhet të intensifikojnë luftën e tyre. Memorandumi i parë i bashkëpunimit midis dy vendeve është firmosur në vitin 1997.

Top Channel