Rekomandimet e KiE-së për AMA-n: Ka çaluar deri më tani

25/11/2014 00:00

Ekspertët e Këshillit të Europës edhe me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta kanë kryer një studim i cili tregon se në ç’rrugë duhet të eci Autoriteti i Mediave Audiovizive, një institucion i cili deri më tani nuk e ka kryer siç duhet funksionin e tij dhe ka patur mjaft probleme përsa i përket autonomisë në vendimarrje.

“Ky studim i paanshëm dhe profesional i treguesve formalë dhe faktikë të pavarësisë së funksionimit të AMA-s ka për qëllim ndërtimin e një themeli për punën që duhet bërë në të ardhmen duke lënë pas periudhën e vështirë të këtij institucioni dhe duke ndërtuar një autoritet të mediave audiovizive që do të jetë në gjendje t’u bëjë ballë sfidave të zhvillimeve teknologjike dhe të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve”, deklaroi në fjalën e tij, kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Në këtë studim ekspertët e Këshillit të Europës kanë rekomanduar disa ndryshime, të cilat sipas tyre do të mundësojnë funksionimin e plotë dhe të pavarur të AMA-s.

“Shpërndarja e frekuencave ka pasur shumë probleme dhe në të kaluarën shumë çështje kanë shkuar në gjykatë. Ne sugjerojmë që t’i kalohet Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) e drejta për liçensimin dhe kontrollimin e frekuencave dhe rrjeteve elekronike”, thotë Kristina Iron, eksperte e KiE-së.

Në lidhje me piraterinë, ekspertët thonë se AMA është përgjegjëse për denoncimin e piraterisë, ndërsa ndëshkimet për piratuesit duhet t’ia kalojë gjykatës.

“Përsa i përket piraterisë, ekspertët e Këshillit të Europës deklarojnë se duhet të përcaktohet se kush është përgjegjës që të mos ketë mbivendosje të kompetencave. Duhet të qartësohet ky funksion pasi ka disa ligje. AMA duhet të ndihmojë në dhënien e informacionit dhe monitorimin e gjendjes, por duhet t’i lihet Gjykatave Administrative dhënia e vendimeve”, shtoi ekspertja e KiE-së, Iron.

Rekomandimet janë mbështeshtur nga të gjithë përfaqësuesit e Komisionit të Arsimit dhe Medias si dhe nga kryetari i AMA-s, Genc Pollo.

“Në përgjithësi jam dakord me rekomandimet. Ligji për AMA-n është i mirë edhe pse janë marrë 7 vjet për miratimin e tij. Çështja kryesore mbetet zbatimi i tij. Ligjet e miratuara me konsensus duhet të zbatohen, por nuk ndodh kështu për Rregullatorin. Situata ka qenë që janë bërë përpjekje për shkarkimin e kreut të AMA-s. Kriteret kryesore të shkarkimeve dhe të emërimeve kanë qenë ndesh me ligjin. Emërimet e fundit kanë bërë që AMA të jetë pranë qeverisjes dhe kjo s’ka asgjë pozitive as për shtetin e së drejtës, as për lirinë e medias”, tha Pollo.

“Nëse ne do të tejkalojmë axhendat e partive politike për t’i vendosur ato në funksion të axhendave të rritjes së standardeve të institucioneve, atëherë ne kemi bërë atë që duhet në mandatet që kemi, institucionet që kemi për të realizuar ato sfida që ka vendi dhe që mund t’i shprehim bukur nëpër tryeza, por që në praktikë bëjmë gjithçka për të mos i realizuar”, tha nga ana tjetër, Alfred Peza, nënkryetar i Komisionit.

Buxheti i AMA-s është shumë i vogël në krahasim me vendet e tjera, çka bën që ky institucion rregullator të mos përmbushë një pjesë të madhe të detyrimeve të tij ligjore. Ekspertët e Këshillit të Europës kërkojnë që të ndryshohet neni 15  i ligjit në mënyrë që vetë AMA të marrë vendime si të organizohet së brendshmi pa patur nevojë për vendime nga parlamenti.

“Unë jam dakord me rekomandimet e Këshillit të Europës, edhe me rekomandimin për kalimin e disa kompetencave AKEP-it  si dhe me amendimin e nenit 15-të përsa i përket organigramës së AMA-s e cila mos të varet më nga parlamenti, pasi nuk është realiste dhe nuk reflekton nevojat reale në mënyrë  që të arrihen balancat”, deklaroi Gentian Sala, kryetar i AMA-s.
   
Ambasadori gjerman Hoffman tha se kuadri ligjor është i mirë. Ajo që është e rëndësishme, tha ai, është zbatimi. “Unë do të apeloja që jo vetëm në AMA, por edhe në institucione të tjera partitë  të gjejnë personalitetet e duhura”, tha ai.

Top Channel