PD: Transparencë për çmimin e energjisë

25/11/2014 00:00

Partia Demokratike i tha Fondit Monetar Ndërkombëtar se rritja e re e taksave është e papranueshme për opozitën. Sipas kreut të PD, Lulzim Basha rritja e një viti më parë ka dhënë pasoja dramatike në ekonominë e vendit dhe një rritje e re do të thellojë recesionin me pasoja katastrofike për ekonominë.

Në analizën e opozitës kjo situatë e rëndë do të përshkallëzohet nga rritja e çmimit të energjisë elektrike, të cilën Partia Demokratike e kundërshtoi hapur dhe kërkoi transparencë për çmimin e ri të energjisë.

Zoti Basha u tha përfaqësuesve të FMN-së në Shqipëri se qeveria nuk ka një reformë të vërtetë për sistemin energjitik, por po u ngarkon çdo kosto qytetarëve me rritjen e çmimit të energjisë dhe me masa të tjera shtrënguese.

Sipas kreut të opozitës, në vend që të inkurajojë pagesën e prapambetur të faturave nëpërmjet një skeme për shtresat në nevojë, qeveria po përdor dënime selektive.

Këtë e paraqiti si shqetësim të banorëve tek ish-Fusha e Aviacionit në Tiranë edhe koordinatori ligjor i Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Disa prej banorëve u ankuan për fatura aforfe ose abuzive, për të cilat nuk kanë marrë përgjigjje nga autoritetet.

Por për të shmangur lënien në erresirë dhe pa energji të banorëve, siç po veprohet tani, Partia Demokratike propozoi një skemë që nuk ndëshkon qytetarët, por i stimulon ata të paguajnë.

“Ne inkurajojmë qeverinë që të formalizojë dhe të fusë në sistem të gjithë qytetarët që të paguajnë energjinë, por është e papranueshme që qytetarë të cilët nuk kanë të ardhura, qytetarë që nuk kanë mundësi, t’i kriminalizosh dhe të hapësh një plagë të re sociale dhe të mos i fusësh në sistem dhe t’u lësh një mundësi për pagesë me këste. Qeveria duhet t’u lerë një mundësi tjetër që pagesën ta bëjnë 10 mijë lekë të vjetra në muaj  dhe pjesën tjetër, atë që konsumojnë, ta paguajnë me faturën që vjen dhe jo me faturim aforfe dhe jo 140 mijë lekë në muaj për dy persona të moshuar, por të paguajnë energji aq sa harxhojnë. Kjo është zgjidhja! Një zgjidhje e pranueshme edhe për qytetarët edhe për qeverinë për ta formalizuar dhe për t’i futur në sistem ata që ajo i quan debitorë dhe qindra debitorë të tjerë që i toleron sepse janë klientë dhe votuesit e saj”, deklaroi Salianji.

Top Channel