Një anije me 500 deri 700 klandestinë në bord ka lëshuar sinjalin SOS pasi sipas kapitenit të saj ndodhet në rrezik. Roja Bregdetare greke thotë se anija “Baris”, me flamur Kiribati, ndodhet me motor të fikur 30 milje detare në jug të Kretës.

Në zonë fryn erë e fortë, çka e bën të pamundur rimorkimin e saj. Rreth 200 prej emigrantëve në bordin e “Baris” janë gra dhe fëmijë.

Sipas Rojës Bregdetare, për momentin anija me klandestinë nuk ka rrezik mbytjeje, por situata mund të dëgradojë në orët në vazhdim. Në zonë janë drejtuar disa anije shpëtimi, ndërsa një helikopter i Rojës Bregdetare greke monitoron nga ajri.

Autoritetet greke thonë se emigrantët klandestinë janë nga Afrika dhe kanë paguar disa mijëra dollarë për kalimin e tyre drejt brigjeve italiane. Prefektura e Kretës njoftoi se ka filluar paraprakisht përgatitjet për akomodimin e tyre.

Në zonë do të dërgohen mjekë dhe ndihma ushqimore, ndërsa janë marrë masa shtesë për parandalimin e rasteve të mundshme të ndonjë klandestini me virusin vdekjeprurës të Ebolës.

Top Channel