Rikthehen tërmetet në Zharrë, banorët në protestë

25/11/2014 00:00

Rikthimi i lëkundjeve të tokës në zonën naftëmbajtëse të Patos Marinzës ka shkaktuar panik tek banorët e Zharrës dhe në zonën përreth.

Lëkundjet ndodhen pasditen e djeshme dhe banorët thonë se ka patur sërish dëme në banesat e tyre nga lëkundjt e tokës. Banorët dolën në protestë, por policia ndaloi disa persona. Ata thanë se këto janë termete të provokuara.

“Ishte një tronditje e paparë, shtëpia u fut poshtë në tokë. Shtëpitë tona po shkatërrohen”, tregoi një prej tyre.

“Jemi në një gjendje shumë të rëndë, që do të na bëjë të dalim nga kontrolli”, tha një tjetër.

I këtij mendimi është edhe kryetari i komunës Zharrës. “Siç jeni në dijeni, pasditen e djeshme ka pasur lëkundje toke rreth orës 18:38. Ka qenë një nga lëkundjet e radhës por shumë e fortë, që ka krijuar tensione tek banorët”, deklaroi Taulant Grembi.

Rreth një vit më parë në zonë u vendos nga një grup task forcë një seri aparaturash që do analizonin lëkundjet e tokës. Kompania konçesionare Bankers Petroleum mohon akuzat se provokon lëkundjet, ndërkohë që çështja po ndiqet nga Albpetrol.

Sipas kompanisë kanadeze bëhet fjalë për termete me shkaqe natyrore dhe nuk shkaktohen nga operacionet e hidrokarbureve të kompanisë.

Zyrtarisht nga kompania shtetërore e naftës që mbikëqyr konçesionarin thuhet se është nisur një grup verifikimi për të gjetur arsyet e lëkundjeve.

Instituti i Gjeofizikës në njoftimet për tërmetet tregon se lëkundjet ndodhën të hënën rreth orës 18 e 20 minuta, 3 kilometra në jug të Fierit pranë Roskovecit dhe ishin të një fuqie 3.2 të shkalles Rihter, me epiqendër 3.7 kilometra nën tokë.

Top Channel