Prishja e ndërtimeve pa leje, Avokati i Popullit: Jo objektet e para vitit 1990

25/11/2014 00:00

Avokati i Popullit i rekomandon INUK të mos prishë objektet e ndërtuara para gushtit të vitit 1991, pasi ato nuk përfshihen në ligjin e legalizimeve dhe si të tilla, në bazë të një vendimi të qeverisë në vitin 2012 ato do të pajisen me akt pronësie.

Si të tilla, ato përftiojnë dëmshpërblim kur bëhet fjalë për ndërtimin e projketeve të mëdha si Unaza e Madhë në kryeqytet apo të tjera.

“Një numër i konsiderueshëm prej tyre kanë disponuar akte për banesat që i disponojnë edhe sot, përpara gushtit ‘91. Ato kanë bërë aplikim pranë ALUIZNI-t për legalizimin, gjë që është e gabuar pasi ligji nuk e përfshin këtë kategori. U duhet dhënë një mundësi këtyre subjekteve për të marrë çertifikatën e pronësisë”, deklaroi Arben Gjoleka, ndihmëskomisioner pranë AP.

Organet vendore në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme dhe Agjencisnë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave duhej t’i kishin pajisur me akt pronësie këto subjekte.

Nëse atyre u prishen nga INUK, atëherë ata nuk mund të aplikojnë më dhe rrjedhimisht humbin dëmshpërblimin. Por komisionerja e Avokatit të Popullit i kërkon INUK që për subjekte të cilat janë për t’u prishur t’u jepet më parë procesverbal pronarëve të tyre.

“Është vënë re se proçedura ligjore për t’u ndjekur për konstatimin, si për shembull procesverbali që duhet të firmosë një individ për të thënë se mori dijeni për vendimin e INUK, nuk është respektuar dhe kjo ka rezultuar në një pjesë të madhe të rasteve që ne kemi administruar”, deklaroi komisionerja Etilda Gjonaj.

Avoakti i Popullit kërkon të rakordohet puna ndërmjet institucioneve me qëllim që para prishjeve të objkteve të përcaktohet numri i të pastrehëve që shtohen si dhe të gjendet mundësia e strehimit të tyre.

Top Channel