Konkurrenca, bie ndjeshëm çmimi i naftës

25/11/2014 00:00

Çmimi i karburanteve ka pësuar rënie prej disa muajsh, e një prej shkaqeve kryesorë të fenomenit shqetësues për vendet prodhuese, është konkurrenca.

Prodhimi i naftës i ka zhvendosur, kohët e fundit, raportet në botën e energjisë. Në media, flitet për matje forcash në një sektor, ku Amerika po përpiqet të marrë rol qëndror, ndërsa Arabia Saudite kërkon t’i konkurrojë sipërmarrjet amerikane e të stopojë bumin e prodhimit.

Rezultati i përplasjeve është mbifurnizimi dhe ulja e çmimit të naftës, i cili që prej verës ka rënë me një të katërtën. Dy javët e fundit, një fuçi naftë e prodhimit amerikan WTI, kushton më pak se 75 dollarë, kuotimi më i fundit ky në katër vjet.

Nga lufta e çmimeve normalisht përfitojnë konsumatorët, ndërsa situata në shumë prej vendeve prodhuese po acarohet. Ekonomia e Kurdistanit është një prej atyre, që e kanë ndierë më tepër tkurrjen e çmimit, e cila ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm mbi ritmin e rritjes.

“Rënia e çmimit prek padyshim jetën e çdo qytetari e tregjet gjithashtu. Inflacioni rritet çdo ditë e më shumë, ndërsa të ardhurat për kokë bien. Gjithmonë e më tepër po rritet gjithashtu edhe niveli i papunësisë”, tha Sherko Jawdat, kryetar i komitetit të burimeve natyrore në Parlamentin rajonal.

Sipas ekspertëve, Shtetet e Bashkuara konsiderohen fushëbeteja e re e karburanteve, sot në botë. “Fracking”-u, apo procesi i shpimit në tokë, përpara se një përzierje uji me presion të lartë të drejtohet në shtresë shisti argjilor, i ka sjellë vendit një shtim marramendës të prodhimit.

Autoriteti i energjisë “EIA” pohon se për të parën herë në 70 vjet, prodhimi i naftës në Amerikë i kapërceu nëntë milionë fuçitë në ditë. Amerika po e mbyt globin me nënprodukte të lira të naftës, thonë ekspertët, e kjo ka ulur përfitimin e prodhuesve tradicionalë, si Arabia Saudite, prodhuesja më e madhe e kartelit të OPEC-ut.

Top Channel