Rama: Asnjë tolerim hajdutëve. Pas stabilizimit, ulje e çmimit

25/11/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama u ka dhënë një mesazh të fortë qytetarëve shqiptarë lidhur me vjedhjen e energjisë, gjatë inspektimit të ndërtimit të HEC-it 4.1 megavat në lumin Rrapun në Librazhd.

“Nuk ka pikë dyshimi, operacioni do të vazhdojë pa kompromis, pa tolerancë, pa parë majtas dhe djathtas. Kush do të vjedhë energjinë nuk ka asnjë mundësi të bashkëjetojë me ne në lirinë e kësaj shoqërie, por do të shkojë aty ku e ka vendin, sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë nuk foli për rritje të çmimit të energjisë, por për pagesa korrekte nga gjithëkush që konsumon energjinë elektrike. Madje, ai theksoi se dalja nga situata aktuale do të mundësojë uljen e çmimit për familjarët në të ardhmen.

“Shqipëria evropiane nuk bëhet duke vazhduar në rrugën e rrënimit, por bëhet duke marrë përsipër edhe sakrificat e rrugës së re të ndërtimit të Shqipërisë evropiane, sakrifica që nuk nënkuptojnë në asnjë mënyrë rritjen e çmimit të energjisë në mënyrë të mëtejshme për ata që paguajnë dhe lënien e atyre që vjedhin të vazhdojnë të vjedhin, kështu që ata që paguajnë, paguajnë për ata që vjedhin, por nënkupton që çdokush të paguajë atë që i takon, në mënyrë që pastaj të vijmë në një fazë tjetër më tutje, kur të jemi në gjendje të flasim edhe për ulje të çmimit, të flasim edhe për ulje të TVSH mbi energjinë për familjarët”, tha Rama.

Sipas kreut të ekzekutivit, operacioni kundër vjedhjes së energjisë ka nisur të prodhojë rezultatet e para. “Është shumë e rëndësishme që nga këtu t’iu them të gjithë shqiptarëve se operacioni i filluar nuk do të ndalet. Thjesht dhe vetëm vullneti i shprehur i kësaj faze shumë fillestare ka bërë që bankat të na takojnë për të konfirmuar vullnetin e qeverisë dhe kështu të fillojmë punën për një paketë financiare, e cila do të na mundësojë shlyerjen e detyrimeve ndaj gjithë investitorëve në sistemin energjetik me këto HEC-e private”, tha Rama.

Ndërsa deputeti i zonës së Librazhdit, Taulant Balla shpjegoi çfarë kishte ndodhur me këtë zonë kur PS ishte në opozitë. “Kemi një histori tek kjo urë bashkë me kryetarin Rama. Kur ishim në opozitë protestuam këtu për të kërkuar 50 milionë lekë të vjetra për riparimin e kësaj ure. Sot jemi këtu me një investim prej 25 milionë euro, që përbën dhe ndryshimin mes kohës së shkuar dhe rilindjes”, tha Balla.

Top Channel