Reforma për stabilizimin e energjitikës

25/11/2014 00:00

Ulja e çmimit për HEC-et private është vetëm njëra nga masat, që pritet të ndërmerren në sektorin energjetik.

Top Channel zbardh të plotë reformën, përmes së cilës qeveria synon të nxjerrë sektorin nga kriza e thellë financiare, duke bërë të mundur vetëfinancimin e tij. Programi përfshin pesë masa, të cilat rrisin të ardhurat për kompanitë publike të energjisë, si dhe pesë të tjera që rregullojnë marrëdhëniet e tyre financiare me të tretët.

Sipas tij, masa e parë është ulja çdo vit me 5 përqind e humbjeve të energjisë. Sipas qeverisë, kjo do të bëjë, që shifra totale e humbjeve të zbresë nga 34 përqind, që është aktualisht, në 15 përqind në vitin 2019.

Masa e dytë është ulja e kostove për blerjen e energjisë nga privatët, përmes së cilës qeveria shpreson të kursejë dhjetra milionë dollarë në vit. Paralelisht, në dokument pranohet se një tjetër faktor, që do të sjellë fitim për Operatorin e Shpërndarjes, është ndryshimi i çmimeve për familjarët, duke hequr fashën e mbrojtur prej 300 kilovatësh. Ndërsa dy masat e fundit janë rritja e arkëtimeve korente dhe grumbullimi i detyrimeve të prapambetura nga ujësjellësit dhe debitorët e tjerë.

Veç këtyre masave, që rrisin të ardhurat, qeveria merr përsipër të likuidojë të gjitha detyrimet, që tre kompanitë publike kanë ndaj të tretëve, përfshirë HEC-eve private apo Tatimeve. Paralelisht, qeveria angazhohet të paguajë subvencionet e energjisë për shtresat në nevojë dhe të ristrukturojë kompanitë energjetike.

Sipas programit, kjo do të bëjë që defiçiti financiar i sektorit energjetik të reduktohet nga 278 milionë dollarë, vitin e kaluar, në zero brenda vitit 2017, e më pas të dalë me fitim. Përtej kësaj, qeveria thotë se do të ristrukturojë dhe borxhet aktuale të dy kompanive KESH dhe CEZ, të cilat në total janë 380 milionë dollarë për t’u dhënë atyre frymëmarrje.

Reforma në energji konsiderohet si një nga më të rëndësishmet për ekonominë dhe stabilitetin financiar të vendit.

Top Channel