Përgjimi i politikanëve nga SHIU?

25/11/2014 00:00

A është përdorur pajisja e përgjimit e Shërbimit Informativ të Ushtrisë përtej misionit për të cilin ajo ishte blerë?

Pavarësisht se kanë kaluar muaj nga akuzat e forta të mazhorancës së sotme, mbi përgjimin e saj gjatë kohës kur ishte në opozitë, kësaj pyetjeje prokurorët e Tiranës e kanë të pamundur t’i japin përgjigjje, duke qenë se ekspertët e policisë shkencore, nëpërmjet një shkrese të depozituar javën e fundit, i thonëe organit të akuzës se nuk posedojnë pajisje, që të gjurmojnë aparaturën ushtarake, duke qenë se ajo ka një sistem të padepërtueshëm.

Në këto kushte – thanë burime pranë Prokurorisë së Tiranës, – grupi i hetimit ka kërkuar ndihmën e një ambasade të njohur në Tiranë, në mënyrë që të asistojë me ekspertizë të fjalës së fundit.

Po kështu, hetuesit kanë kërkuar edhe ndihmën e kompanisë, që ka prodhuar pajisjen e blerë nga SHIU shqiptar, e cila ndodhet me seli në Izrael. Nga ana tjetër, prokurorët kanë pyetur për herë të fundit ish-shefin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Ylli Zyla, i cili ka këmbëngulur se pajisja nuk është përdorur fare brenda territorit shqiptar, pasi sipas Zylës ajo ishte blerë për misione sekrete jashtë vendit.

Në kallëzimin e disa muajve më parë thuhet se kjo pajisje e SHIU-t, e blerë me vlerën e gati 1 milionë e 500 mijë eurove, është përdorur për të përgjuar politikanë, veçanërisht të majtë, si dhe diplomatë në Tiranë.

Paralelisht me dyshimet, se aparatura është përdorur në shpërdorim të detyrës, Prokuroria e Tiranës po heton për shkelje të ligjit mbi procedurat e blerjes së pajisjes.

Top Channel