Edhe pse konstatimet e raportit të ri shkencor, të publikuar nga Banka Botërore mbi ndryshimet klimatike, se planeti ynë po ngrohet, nuk përbëjnë një risi në këtë drejtim, të reja janë pohimet e hartuesve të tij, të cilët paralajmërojnë se valët e nxehtësisë dhe ekstremet e tjera klimatike, që kanë ndodhur dikur një herë në 100 vjet apo më shumë, do të bëhen “një normalitet i ri”.

Duke cituar raportin në fjalë, “Zëri i Amerikës” thotë se bota është drejt rrugës për t’u ngrohur deri me 2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale. Kjo tendencë, sipas studiuesve, do të shkaktojë ndryshime të pakthyeshme në një shkallë të madhe.

Raporti i ri është i treti në një seri studimesh nga Banka Botërore mbi këtë temë. Ai përqendrohet në tre rajone kryesore: Amerikën Latine, Ballkanin Perëndimor dhe Azinë Qendrore e Lindjen e Mesme.

Ajo që këto zona kanë të përbashkët, është rreziku që përbën për to nxehtësia ekstreme. Sektorët e ekonomisë do të jenë ato, që do t’i ndiejnë më shumë pasojat e klimës. Siç thuhet në studim, deri në 2050-n, prodhimi bujqësor mund të shohë gati 70 përqind pakësim të rendimentit për sojën dhe 50 përqind pakësim të rendimentit të grurit.

Për një ekonomi të strukturuar, si Brazili për shembull, kjo mund të ketë ndikim të madh. Në Azinë Qendrore dhe Ballkanin Perëndimor, shtimi i shkrirjes së akullit e dëborës rrit rrezikun e përmbytjeve dhe, ndryshimi i kohës së rrjedhës së ujit pakëson sasinë e tij, kur është i nevojshëm në muajt e verës për drithërat.

Kjo do të ketë ndikim në prodhimin bujqësor, bagëtitë dhe jetën urbane, por në fakt edje sigurinë për gjithë rajonin. Hulumtimet për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut tregojnë gjithashtu kërcënime për sigurinë e ujit. Sipas raportit, rajoni do të përballet me një pakësim prej 40 përqind të nivelit të shirave, deri në vitin 2040.

Top Channel