Shqipëria në “Expo Milano 2015”

25/11/2014 00:00

Është zgjedhur Bunk’art për të prezantuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në “Expo Milano 2015”, ekspozimit universal që do të zhvillohet në Milano nga 1 maji deri më 31 tetor të vitit të ardhshëm.

Në këtë ambient, simbol i mbylljes dhe diktaturës komuniste, u zhvillua një “workshop” për Ekspo-në, e cila mbledh 144 vende të botës me tematikë: “Të ushqejmë planetin, energji për jetën” dhe synimin e Shqipërisë për të dhënë në këtë event ndërkombëtar një impakt pozitiv për agroturizmin, turizmin në përgjithësi, nxitje për investime.

Manjola Gjoni, komisare e përgjithshme Expo për Shqipërinë, u shpreh: “Marrim pjesë në klasin bio-mediterran që drejtohet dhe koordinohet nga Siçilia. Ne kemi tematikën tonë personale: ushqimi, historia dhe misteri ynë. Do të shohim edhe bashkëjetesën fetare.

Ndërsa Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, deklaroi: “Do të kemi mundësinë që krahas vendeve të tjera të rajonit të shpalosim vlerat tona në prodhimet bujqësore, në biodiversitet dhe në burimet tona të pasura natyrore duke dhënë një mesazh zhvillimi.”

Nga ana e tij, Massimo Gaiani, ambasadori italian në Shqipëri tha se “do të kemi mundësinë të shohim në Milano mbi 140 vende të cilat do të prezantohen me praktikat e tyre më të mira.”

“Expo Universale” zhvillohet nga viti 1851. Është një event i rëndësishëm, i cili organizohet çdo 5 vjet në vende të ndryshme të botës me tematika të ndryshme. Shqipëria ka marrë pjesë për herë të parë në vitin 1937 në Ekspo-në e Parisit dhe dy herë të tjera pas viteve ‘90. Këtë vit, sipas organizatorëve, është hera e parë që merr pjesë e pavarur dhe e vetëfinancuar.

Top Channel