Merkel-Putin, diplomacia në nivelet më të ulta

25/11/2014 00:00

Pas nëntë muajve diplomacie të pandalur të gjermanëve, për të shuar krizën në Ukrainë, Kancelarja Angela Merkel vendosi në mesin e muajit nëntor se një ndryshim sjelljeje ishte i nevojshëm.

Përpara samitit të liderëve të G20 në Australi, Merkel zgjodhi të përballej me Vladimir Putinin kokë më kokë, pa pasur ndihmën e përkthyesve apo ndihmësve të zakonshëm të të dy palëve.

Në vend që ta sfidonte atë, mbi atë që ajo e sheh si një seri premtimesh të pambajtura, ajo tentoi ta pyeste Presidentin rus të shprehte ekzaktësisht çfarë synonte ai të arrinte në Ukrainë, por edhe në vendet e tjera “satelite” të ish-Bashkimit Sovjetik, të cilat Kremlini ka nisur t’i bombardojë me propagandë.

Më 15 nëntor, në orën 10 të mbrëmjes, shumë larg dhunës së përshkallëzuar në lindje të Ukrainës, dy liderët u takuan në katin e tetë të “Hilton”-it në Brisbejn. Takimi nuk shkoi ashtu siç pritej.

Për afro 4 orë, Merkel – së cilës iu bashkua rreth mesnatës edhe Presidenti i ri i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker – u përpoq ta bindte ish-agjentin e KGB-së – një njohës i mirë dhe folës i gjermanishtes në mënyrë të rrjedhshme – të vetëdijësohej dhe të shprehte qartësisht qëllimet e tij.

Por, ajo që Kancelarja mori si përgjigje nga Putin, siç njoftojnë zyrtarë gjermanë për “Reuters”, ishin të njëjtat mohime dhe dredhira që ajo kishte dëgjuar prej muajsh. “Ai transmetoi indiferencë, – tha një zyrtar mbi takimin. – Putin ra brenda me fjalët e tij dhe nuk kishte mundësi daljeje”.

Takimi në Brisbejn, dhe ai i zhvilluar në Milano një muaj më parë – ku Putin premtoi për ndikim të rusëve në lindje të Ukrainës, gjë që zyrtarët gjermanë thanë se premtimi u shkel brenda pak ditësh – ngriti nivelet e irritimit në Berlin në disa rangje të reja. Merkel ka arritur një pikë fundore të marrëdhënieve diplomatike me Putinin.

Që prej shkurtit, kur Presidenti prorus i Ukrainës, Viktor Yanukovych, u largua nga Kievi për shkak të protestave të dhunshme në sheshin “Maidan”, Gjermania u vu në krye të përpjekjeve për të bindur Putinin të pajtohej me Perëndimin.

Merkel ka folur me të në telefon në disa dhjetra raste. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Ëalter Steinmeier, një anëtar i socialdemokratëve (SPD) tradicionalisht parti miqësore ndaj Rusisë, ka harxhuar qindra orë në përpjekje për të siguruar një zgjidhje të negociuar për konfliktin.

Tashmë, zyrtarët gjermanë thonë se atyre u kanë shteruar idetë se si mund të ndikojnë te lideri rus. Kanalet e komunikimit me Putinin do të mbeten të hapura, por Berlini është përgatitur për një ngecje të gjatë, e ngjashme me një Luftë të dytë të Ftohtë.

“Mendoj se duhet të përgatitemi për një konflikt më të zgjatur, në të cilin Rusia do të përdorë të gjitha gjërat që ka në dispozicion”, tha Norbert Roettgen, kreu i Komitetit të Jashtëm në Bundestagun gjerman, si dhe anëtar i partisë konservatore të Merkelit. “Jemi esencialisht në një lojë pritjeje”, tha një tjetër zyrtar, i cili nuk pranoi të identifikohej, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. “Gjithçka mund të bëjmë është të mbajmë sytë hapur ndaj konfliktit në lindje të Ukrainës, si dhe të jemi të gatshëm të reagojmë ndaj tij”.

Top Channel