Papa: Europa të mos jetë “plakë e drobitur”

25/11/2014 00:00

Papa Françesku i kërkon Europës që të rimarrë rolin e vet si udhëheqëse në çështjet globale dhe të flakë tutje imazhin prej “plake të drobitur” në sytë e botës.

Gjatë fjalës së mbajtur para Parlamentit Europian në Strasburg, kreu i Kishës Katolike tha se “Kontinenti i Vjetër” gjithnjë e më shumë ka humbur protagonizmin në çështjet që shqetësojnë pjesën tjetër të botës, që tashmë e sheh Europën me dyshim.

“Idealet që dikur udhëhoqën dhe frymëzuan Europën, duket se nuk janë më aq tërheqëse dhe janë zëvendësuar me teknikalitetet e burokracisë së institucioneve të saj”, tha para eurodeputetëve Papa Françesku.

Ati i Shenjtë preku edhe çështjen e emigracionit, vala e të cilit rritet ndër vite drejt vendeve të BE-së. Ai tha se duhet të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme nga të gjitha vendet, por veçanërisht nga unioni si një dhe i vetëm për të mos e shndërruar Mesdheun në një varrezë masive të të pafajshëmve që i drejtohen Europës për një jetë më të mirë.

Kjo nuk është hera e parë që një Papë viziton dhe mban fjalim para Parlamentit Europian. Në 1988, atëherë në kushte krejt të tjera, në Strasburg Papa Gjon Pali II do ta quante Europën “fener që ndriçon qytetërim”.

Top Channel