Kosovë, seanca parlamentare më 8 dhjetor

25/11/2014 00:00

Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga priti të martën në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa për t’u njoftuar me përgatitjet për formimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, respektivisht konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe krijimin e qeverisë së re.

Presidentja Jahjaga u njoftua me ecurinë e bisedimeve mes dy partive politike në harmonizimin e programit qeveritar dhe konsolidimin e prioriteteve shtetërore dhe i inkurajoi liderët e dy subjekteve politike që kanë arritur pajtueshmëri ndërpartiake për bashkëqeverisje javën e kaluar që përbrenda këtij muaji të krijojnë institucionet relevante për të kompensuar kohën e humbur në përmbushjen e obligimeve institucionale ndaj qytetarëve të Kosovës.

Kryetari i PDK-së Thaçi dhe ai i LDK-së Mustafa e njoftuan Presidenten Jahjaga që subjektet e tyre politike dhe grupet punuese për harmonizimin e koalicionit bashkëqeverisës do të jenë të gatshme të ftojnë seancën e Kuvendit të Kosovës për t’i zgjedhur organet e këtij institucioni dhe votuar Qeverinë dhe programin e saj qeveritar më 8 dhjetor 2014.

Ndërkohë ekipet për ndarjen e posteve nga të dy partitë po vazhdojnë diskutimet, ndërsa të mërkurën pritet të pëmbyllet ky proces. Tani të gjitha palët e pranojnë se posti i Kryeministrit do t’i takojë Isa Mustafës.

Top Channel