Minoritetet mbështesin koalicionin PDK-LDK

25/11/2014 00:00

Liderët e dy partive më të mëdha të koalicionit të ri, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa kanë zhvilluar një takim të përbashkët me përfaqësuesit e subjekteve politike të minoriteteve në Kuvend.

Në këtë takim Thaçi e Mustafa kanë informuar udhëheqësit politikë të pakicave për zhvillimet e fundit në zgjidhjen e krizës politike me koalicionin që kanë arritur. Përfaqësuesit e minoriteteve kanë thënë pas takimit me krerët e PDK-së dhe LDK-së se do të votojnë koalicionin e ri në Kuvend.

“Ishte një takim informues ku zoti Thaçi dhe zoti Mustafa na njoftuan për arritjen e marrëveshjes dhe ndërtimin e programit qeverisës. Në këtë takim nuk kemi folur për ndarjen e posteve. Për neve si komunitete nuk ka rëndësi se kush bëhet kryeministër, por e rëndësishme është që partneriteti jonë të jetë korrekt”, deklaroi Slobodan Petroviç, deputet nga Lista Serbe.

Përfaqësuesit e partive minoritare pritet që të përfaqësohen në qeverinë e re me tri ministri si dhe pozita tjera të zëvendësministrave, por edhe në nivele tjera udhëheqëse, siç parasheh Kushtetuta e Kosovës.

Top Channel