“Tomka” rikthehet në shtëpi

25/11/2014 00:00

“Tomka dhe shokët e tij”, një nga prodhimet më të mira të kinematografisë shqiptare është rikthyer pas 37 vitesh në Berat, në qytetin ku u xhirua.

Ky film u restaurua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është përzgjedhur nga regjizori britanik Mark Kazens në “Kinemaja e Fëmijërisë” mes 17 prodhimeve kinematografike.

Në qytetin e Beratit u kthyen edhe disa nga autorët dhe aktorët që vijojnë të jenë edhe sot e kësaj dite personazhe të dashur për publikun, të cilët u nderuan me certifikatën “Mirënjohja e qytetit të Beratit”.

Ndërkohë, regjizorja e filmit dhe shumë prodhimeve të tjera kinematografike për fëmijë, Xhanfize Keko, u nderua nga Këshilli Bashkiak me titullin “Qytetare Nderi” e Beratit pas vdekjes, me votën e të gjithë këshilltarëve.

“Tomka dhe shokët e tij” deri më tani është shfaqur në 19 qytete të Britanisë së Madhe, ndërsa vitin e ardhshëm do të shfaqet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera të Europës, ku përveç titrimit në anglisht, pritet të jetë edhe në frengjisht dhe italisht.

Top Channel