“Kryeministri” mban pezull marrëveshjen PDK-LDK

25/11/2014 00:00

Partnerët e rinj të koalicionit në Kosovë ende nuk kanë marrë vendimin përfundimtar se kush do të jetë Kryeministër i Kosovës.

Lideri i PDK-së Hashim Thaçi dhe ai i LDK-së Isa Mustafa janë takuar të martën dhe kanë diskutuar për kohën e mbajtjes së seancës konstituitive, por ende nuk kanë janë marrë vesh përfundimisht se cili do të jetë kryeministër.

Thaçi e Mustafa kanë takuar presidenten Atifete Jahjaga të cilën e kanë njoftuar se janë pajtuar që Kuvendi të mblidhet më 8 dhjetor dhe po atë ditë të zgjidhet kryeparlamentari dhe të votohet Qeveria.

LDK këmbëngul se do të udheheqë  qeverinë, por në PDK thonë se për këtë çështje ende nuk është vendosur, ndërsa Hashim Thaçi flet vetëm për programin qeverisës.

Arsyeja e mos përmbylljes së marrëveshjes për postin e Kryeministrit ka ndikuar edhe në punën për ndarjen e posteve, sepse posti i Kryeministrit përcakton peshën e ministrive që do të ndajnë partnerët. Partia e kryeministrit të ardhshëm do të marrë ministritë më pak të rëndësishme, ndërsa forca tjetër bashkëqeverisëse merr dikasteret kyçe të shtetit.

Top Channel ka mësuar se kryeministri në detyrë, Thaçi pritet që të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku më 4 dhjetor do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Pas kësaj vizite pritet që Thaçi të kthehet me një përgjigje finale nëse do të vazhdojë të drejtojë Qeverinë, apo do të presë radhën për t’u bërë president i Kosovës, në bazë të marrëveshjes së arritur. 

Top Channel