Rama viziton biznesin fason: Rrugë reale punësimi

25/11/2014 00:00

Dikur një repart ushtarak, sot fabrikë e mirëfilltë ku prodhohen veshje për pilotët e Formula 1, karabinierinë italiane, madje këtu janë qepur edhe uniformat e reja të doganës shqiptare.

Ky është realiteti i ri i një investimi italo-shqiptar prej 1 milion euro, pak kilometra larg Librazhdit në fshatin Togës, i cili u vizitua nga Kryeministrit Edi Rama.

Rama bashkëbisedoi me këta punonjës të cilët u shprehën se janë kthyer nga emigracioni për të punuar në këtë fabrikë të cilën ai e quajti histori suksesi dhe i pari rezultat konkret pas disa vizitave në Itali për tërheqjen e investimeve në vëndin tonë.

“Në industrinë fason kemi arritur të bëjmë një hop të madhe sasior dhe cilësor duke shënuar një rritje prej 28 për qind të eksproteve, 135 milion dollarë më shumë nga eksportet. Kjo industri ka importuar makineri dyfishin e makinerive të importuara vitin e shkuar. Pa rolin e deputetit të Librazhdit, kjo fabrikë nuk do të ishte bërë realitet”, tha në fjalën e tij, Kryeministri Rama.

Në fund Rama në vend  të dollisë për suksesin e investimit preferoi t’u shërbente shampanjë punonjësve të fabrikës.

Po në Librazhd, Kryeministri ndoqi nga afër punimet për rehabilitimin e sheshit përpara bashkisë, punime që janë drejt përfundimit. Rama u angazhua edhe në ndërtimin e ambienteve sportive dhe u drejtoi një mesazh të shkurtër banorëve të këtij qyteti.

“Do vazhdojmë projektin për të shkuar më tutje me rrugën këmbësore, për të rindërtuar fushën e sportit. Ky është vetëm fillimi. Kush ka ndërtuar shtëpi, ashtu siç i ka ndërtuar, këtu është zyra e re e legalizimeve, legalizimet do të jenë falas, kush ka ndërtuar në kurriz të të tjerëve, loja ka mbaruar dhe s’kemi ca t’i bëjmë do t’i vijë INUK-u. Këto janë shqip, të tjerat pastaj janë SHQUP!”, tha Rama.

Top Channel