Dortmundi, Watzke: Na duhen gjak, djersë dhe lotë

25/11/2014 00:00

Shefi ekzekutiv i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, ka thënë se vetëm “gjaku, djersa dhe lotët” do të sillnin kthesën pas këtij fillimsezoni tepër zhgënjyes në Bundesliga.

Dortmundi ndeshet të mërkurën ndaj Arsenalit, në Champions League, ndërkohë që e kanë siguruar kualifikimin për në raundin e 1/8-ave dy ndeshje nga fundi i fazës me grupe. Gjermanët janë 5 pikë përpara “topçinjve” që renditen të dytët, në grupin D.

Gjithsesi, Dortmundi ka pasur një fillim sezoni më negativin në historinë e klubit, pasi ka humbur në 7 nga 12 sfidat e para të kampionatit gjerman. Të shtunën e kaluar ata barazuan 2-2 me Paderbornin, edhe pse ishin në avantazh të dy golave, duke u rikthyer sërish në vendin e 16 të renditjes, apo në zonën e rënies nga kategoria.

Për të shtuar më tej problemet e tyre, fantazisti gjerman Marco Reus do të mungojë në 7 ndeshjet e ardhshme, deri në fillim të muajit janar 2015, pasi ka pësuar sërish dëmtim në kavilje, të gjashtin në 12 muajt e fundit.

Watzke u ka kërkuar më shumë punë kujtdo në klub, në mënyrë që të ndihmojnë në sigurimin e pikëve maksimale në ndeshjet e mbetura për vitin 2014 në Bundesliga, ato ndaj Frankfurtit, Hoffenheimit, Hertha Berlinit, Wolfsburgut dhe Werder Bremenit.

“Kushdo që mendon se ata janë këtu vetëm për të administruar futbollin, gjendet në vendin e gabuar”, tha shefi ekzekutiv i Dortmundit në takimin e përgjithshëm të përvitshëm të klubit, këtë të hënë. “Kur gjendesh në vendin e 16, kjo do të thotë se duhen gjak, djersë dhe lotë për t’u ngjitur më sipër. Kjo është rruga që duhet të ndjekim gjatë javëve të ardhshme”.

Top Channel