Ulet akciza për pijet energjike

25/11/2014 00:00

Pas një debati të gjatë jo vetëm publik, por edhe brenda vetë mazhorancës, Komisioni i Ekonomisë ka vendosur të ulë akcizën për pijet energjike nga 50 lekë, në 30 lekë për litër.

Në paketën e re fiskale, qeveria pati propozuar heqjen e plotë të akcizës për këto produkte, nën argumentin se kjo taksë nuk aplikohet nga vendet e Bashkimit Europian. Por, më shumë se përafrim legjislacioni, ky propozim dukej një masë e diktuar nga lobimi i tregtarëve dhe i një ambasade të huaj, çka shkaktoi debat të fortë jo vetëm mes komunitetit të biznesit, por edhe brenda vetë radhëve të mazhorancës.

Veç kësaj, argumenti i qeverisë se heqja e taksës është standard i Bashkimit Europian bie ndesh edhe me një fakt tjetër. Pijet energjike nuk janë përjashtimi i vetëm nga standardi europian i akcizës në Shqipëri. Ka edhe një tjetër produkt me konsum shumë më të gjerë, i cili ndonëse nuk taksohet në vendet e BE-së dhe madje as ato të rajonit, qeveria shqiptare e takson me akcizë 60 lekë për kilogram. Kjo është kafja.

Prodhuesit vendas të kafes, prej vitesh kanë kërkuar nga Parlamenti dhe qeveritë të rishikojnë akcizën mbi këtë produkt. Një masë që, sipas tyre, jo vetëm do të rregullonte tregun duke ulur informalitetin, por do të bënte të mundur edhe lehtësimin e konsumatorëve përmes uljes së çmimit.

Por, deri më tani asnjëra nga qeveritë nuk ka pranuar të marrë në konsideratë heqjen e taksës për këtë produkt, i cili ndryshe nga pijet e shtrenjta energjike konsumohet kryesisht nga shtresat më të varfëra të shoqërisë, si pensionistët.

Top Channel