Meta: Protesta e opozitës? Qytetarët janë të lirë

25/11/2014 00:00

Ilir Meta e quan protestën e opozitës tregues të funksionimit të demokracisë dhe lirisë së qytetarëve për protestuar duke ironizuar garën e shifrave mes demokratëve.

“Së pari mos më kërkoni të bëhem pjesë e kontradiktave mes zotit Basha dhe zotit Berisha mbi numrin e pjesëmarrësve nëse ishin 200 mijë apo 250 mijë”, nisi fjalën e tij Meta.

Ndërsa për kërkesat ekonomike opozitës edhe një herë u shpreh i hapur për t’i riparë.

“Është parlamenti nëpërmjet amendamenteve dhe reformave konkrete, por është e rëndësishme që të gjithë të shohin edhe përgjegjësitë e tyre”, shtoi kreu i Kuvendit.

Ndërsa ftoi demokratët e larguar nga pushteti pak më shumë se një vit më parë të shohin përgjegjësitë e tyre për rrënimit të sektorit energjitik, Meta mbështeti reformën e nisur në të.  Kreu i partisë më të madhe në aleancë me socialistët në qeverisje mbështeti masat për ndalimin e vjedhjes dhe abuzimit të energjisë.

“Do të jemi të vëmendshëm që të merren të gjitha masat për të mbrojtur shtresat më në nevojë të shoqërisë”, tha ai.

Asnjë devijim nga mbështetja e kreut të qeverisë nuk shfaqi Ilir Meta as në nismën për hapjen e dosjeve, që përcaktoi se duhet të bëhet konform parimeve kushtetuese.

“I dimë problemet që kanë ndodhur në të kaluarën me ligjin për lustracionin kështu që cdo hapje do të ishte e mirëpritur për t’i shërbyer transparencës në opinionin publik, natyrisht pa cënuar sigurinë kombëtare”, u përgjigj kreu i Kuvendit.

Top Channel