FMN çertifikon buxhetin: Rritja 2 përqind

25/11/2014 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka çertifikuar buxhetin e vitit 2015. Shefi i misionit të FMN në Tiranë, Nadeem Ilahi deklaroi se buxheti është në linjë me vlerësimet e Fondit Monetar dhe bën të mundur që vitin tjetër Shqipëria të fillojë uljen e borxhit.

Në përmbyllje të vizitës së tij dhjetëditore në Tiranë, Ilahi deklaroi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin e Financave se edhe rimëkëmbja e ekonomisë po ecën sipas parashikimeve.

Shefi i misionit të FMN tha se qeveria ka përmbushur objektivat e marrëveshjes dypalëshe në mbledhjen e të ardhurave dhe ruajtjen e deficitit.

“Performanca fiskale në vitin 2014 ka qenë në përputhje me marrëveshjen që ne kemi me qeverinë. Ne e vlerësojmë këtë performancë si të kënaqshme. Gjithashtu, ne kemi patur diskutime edhe për buxhetin e vitit të ardhshëm. Mendim ynë është se autoritetet janë të angazhuara në përmbushjen e objektivit të deficitit që ne kishim rënë dakord, duke bërë të mundur kështu uljen e borxhit sipas parashikimeve”, u shpreh Nadeem Ilahi.

Sipas tij, veç buxhetit edhe rimëkëmbja e ekonomisë po ecën në linjë me parashikimet.

“Pritshmëritë tona janë që rritja ekonomike këtë vit të jetë 2 përqind ashtu siç e kishim parashikuar edhe më parë. Për vitin tjetër, po ashtu presim një përshpejtim në  3 përqind. Ka një dobësi që vjen nga ambienti i jashtëm dhe ne e kemi njohur këtë si një rrezik për këtë parashikim, por besojmë se kjo do të kompensohet nga një ecuri më e mirë e kërkesës së brendshme”, shtoi shefi i misionit të FMN.

Por sipas FMN në këtë situatë një nga risqet kryesore të ekonomisë mbetet sektori energjetik. Në fjalën e tij Ministri i Financave, Shkëlqim Cani është shprehur se në buxhetin e vitit 2015 do t’u jepet prioritet shtresave në nevojë.

“Qeveria do të sigurojë dhe monitorojë që ndikimet fiskale të sektorit të energjisë të vijnë në rënie, duke shmangur barrën mbi tatim-paguesit dhe prioritet do t’i jepet mbrojtjes së shtresave në nevojë, e cila realizohet plotësisht me buxhetin e vitit 2015”, Cani

Në konferencën e përbashkët me Fondi Monetar Ndërkombëtar ishte i pranishëm edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj i cili tha: “Viti 2015 merr përsipër të fillojë korrektimin e 22 viteve keqmenaxhim në sektorin elektroenergjetik shqiptar. Kjo është një masë tejet e guximshme dhe e përgjegjshme e qeverisë shqiptare dhe jemi të bindur që po bëjmë gjënë e duhur”.

Ndërsa guvernatorja në detyrë e Bankës së Shqipërisë, Elisabeta Gjoni, ka përmendur edhe një tjetër risk, atë që vjen nga plogështia e tregut financiar.

“Primet e rrezikut në ekonomi mbeten të larta. Gatishmëria për të ndërmarrë rrezik në sektorin real e financiar të ekonomisë shfaqet e ulët dhe aktiviteti kreditues mbetet akoma i dobët”, deklaroi guvernatorja në detyrë e BSH.

Ndryshe nga hera e kaluar, këtë radhë FMN dhe qeveria duket se e kanë gjetur më lehtë marrëveshjen, çka bën të mundur edhe disbursimin e këstit të radhës prej 33 milion euro të kredisë.

Top Channel