Hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, projektligji mbërrin në Kuvend

26/11/2014 00:00

Projektligji i lustracionit i hartuar nga shoqëria civile në bashkëpunim me ish të përndjekurit dhe me ish-studentët e “Dhjetorit të ‘90”, do të dorëzohet sot në Kuvend. Por cila është e reja e kësaj iniciative?

Për të folur në lidhje mbi këtë projektligji ishte e ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” Elsa Ballauri nga Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut.

Zonja Ballauri u shpreh se ‘ligji i lustracionit nuk ka funksionuar pasi është bërë nga politika, ndërsa në këtë rast ai është bërë nga shoqëria civile’.

Gjithashtu ajo shpjegoi me detaje pikat kyçe të këtij projektligji dhe mënyrën sesi dosjet do të bëhen të aksesueshme për shqiptarët.

***

Pandi Gjata: Çfarë synon në radhë të parë kjo nismë dhe ky projektligj që ju dorëzoni sot në Kuvendin e Shqipërisë?

Elsa Ballauri: Për këtë ligj ne kemi bashkëpunuar edhe me specialistë dhe me të tjera grupime të interesuara. Për fat të keq ligj i lustracionit nuk ka mundur të funksionojë për disa arsye. Së pari, pasi është bërë nga politika, në këtë rast ne nuk kemi një ligj të bërë nga politika, por të propozuar nga shoqëria civile. Politika ka bërë që ligji të funksionojë për interesat e veta dhe kjo është arsyeja që ligji nuk ecën përpara dhe nuk funksionon.

Pandi Gjata: Dhe ne nuk jemi çliruar nga kjo histori këtu e 24 vjet më parë…

Elsa Ballauri: E reja është se ligji nuk është vetëm ligj lustracioni, por edhe i hapjes së dosjeve. Ne mendojmë se është detyrë e shtetit shqiptar të çlirojë enigmën e madhe, atë tmerrin e madh që kishte krijuar Sigurimi i Shtetit, i cili ka qenë një nga shtyllat kryesore të diktaturës. Ne të gjithë bashkë duhet të dimë të përballemi me një histori të hapur dhe si duhet të ecim përpara nëpërmjet mësimit nga gabimet.

Pandi Gjata: Cilat janë pikat kyçe të projektligjit?

Elsa Ballauri: Projektligji ka të bëjë pikërisht me hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe lustracionit. Ne mendojmë se dosjet duhen bërë krahas lustracionit. Dosjet kanë një procedurë të caktuar, ato bëhen të aksesueshme për çdo qytetar shqiptar, i cili kërkon të shikojë vetëm dosjen e tij. Me një kërkesë të veçantë drejtuar autoriteteve, çdo njeri mund të kërkojë të shoh dosjen e tij, nëse ai ka një të tillë, por nuk ka mundësi që të kërkojë hapjen e një dosje të një të afërmi të tij. Kjo është një çështje e individit kundrejt kërkesës për autoritetin.

Pandi Gjata: Mendoj që interesi më i madh është se çfarë do të bëhet publike…

Elsa Ballauri: Kjo është pjesa që i takon lustracionit. Në këtë rast kemi një kategori të caktuar njerëzish që futen në politikbërje.  Gjithmonë duhet të kemi parasysh se ata që bëjnë politikën në Shqipëri kanë një tjetër qasje ndaj dosjeve. Dosjet e këtyre personave hapen dhe bëhen publike edhe në rast se ata nuk duan që kjo të bëhet. Kuptohet sikur ligji i dosjeve është diçka që dënon, penalizon, që çon në burg njerëz apo që ndërpret mandate kushtetuese, nuk do të ndodhë kështu. Kjo ka qenë ndoshta edhe gabimi ose ndonjë kurth që krijuan ligjet e tjera, të cilat gati e bënë tepër të nënvlerësuar ligjin e lustracionit. Nga politika u bënë përpjekje, të cilat më shumë ishin farsa dhe binin ndesh me Kushtetutën.

Pandi Gjata: Mendoni se këtë herë do të keni mbështetjen e politikës në këtë iniciativë? Deri tani vetëm dy deputetë janë shprehur publikisht, zonja Doda dhe zoti Idrizi.

Elsa Ballauri: Për këtë temë unë jam shumë pesimiste, por këtë herë kam shpresë sepse për herë të parë ne kemi, emra konkretë, të cilët kanë edhe një të shkuar të lidhur me këtë çështje. Zonja Doda është nga ato që ka luftuar dhe lufton vazhdimisht, gjithashtu edhe zoti Idrizi është i përkushtuar. Mendoj se ata do të arrijnë të marrin edhe firma të tjera deputetësh  për të krijuar një grupim të mirë parlamentar që do të luftojë për ligjin. Nga ana tjetër, mendoj se edhe deklaratat e Kryeministrit për t’u afruar me idenë e rishikimit të historisë apo të dosjeve janë në favor. Unë mundohem t’i marr sa më pozitive dhe shpresoj që të mos jenë një ‘show’.

Pandi Gjata: Jeni iniciatorë për këtë çështje vërtet të rëndësishme për shoqërinë, por ka deklarata të herë pas hershme se një pjesë e mirë e dosjeve janë zhdukur…

Elsa Ballauri: Kjo më duket farë pa vlerë. Natyrisht që një pjesë e dosjeve janë prishur dhe një pjesë e tyre mund të jenë zhdukur, por kjo nuk përbën asnjë pengesë. Në Gjermani, një nga vendet e shquara për mirëmbajtjen në aspektin e strukturës së dosjeve, menjëherë sapo ra Muri i Berlinit dosjet filluan të shkatërroheshin. Megjithatë, ata me anë të një makinerie që i ngjit fletët kanë arritur të rikuperojnë gati 4 përqind të dosjeve, kjo tregon se do të kalojnë breza dhe ata do të jenë të interesuar.

Pandi Gjata: A do të na qetësonte përfundimisht një hapje dosjesh në Shqipëri?

Elsa Ballauri: Asnjëherë nuk mund të thuash përfundimisht, sidomos në Shqipëri, kjo është shumë e largët. Megjithatë unë mendoj që do të na qetësojë deri diku, por edhe do të në aktivizojë shumë. Vetë qytetarët do të bëhen më të përgjegjshëm. Në qoftë se do të publikohet një dosje e një politikani, i cili ka një të kaluar të tillë, vetë zgjedhësit do të dinë se si të përballohen. Politika do të bëhet më e sinqertë dhe më afër njerëzve dhe sigurisht që do të frenohen gabimet. Pastaj është edhe diçka tjetër shumë e rëndësishme, dosjet do të aksesohen nga studiuesit, por pa emra dhe kjo është për të ndërtuar historinë.  Ka ngjarje të jashtëzakonshme që tregojnë thelbin e diktaturës. 

Top Channel