E keni dëgjuar shprehjen “histori kafenesh”. Është pikërisht shprehja që tregon më së miri marrëdhënien e shqiptarëve me kafenetë.

Dikur kafeneja, ishte “zemra” e qytetit. Ishte sigurisht një vend burrash ku flitej për gjithçka ndodhte përqark. Flitej dhe për poezi, libra, shkrimtarë, madje pëshpëritej edhe për vajzën me të cilën rastësisht kishe shkëmbyer vështrime atë buzëmbrëmje.

Por dhe vajzat asokohe kishin pikat e tyre të takimit në qytet. Si për të ndarë vendtakimet sipas gjinive për vajzat kafeneja ishte “shndërruar” në ëmbëltore ku dhe pse kishe shkuar të haje një akullore me shoqet, fshehtazi shkëmbeje vështrime dhe buzëqeshje me tavolinën përballë ku disa djem të rinj ishin ulur aty afër gjoja rastësisht.

Përveçse shoqërisë së mire dhe dashurive të fshehta kafenetë e varfra të qyteteve ofronin në fakt shumë pak; kafe ekspsres ose turke vetëm për 50 lekë, pije freskuese, kryesisht aranxhatë për vetëm 70 lek dhe një akullore për 20 lek. Për shqiptarët e para viteve ’90 bota rrotullohej në kafene.

Pas rënies së komunuzmit marrëdhëniet e shqiptarëve me kafenetë ndryshuan. Shpejt kafenetë filluan të shfaqeshin në çdo cep lagjeje dhe frekuentoheshin nga mëngjesi në mbrëmje.

Dalëngdalë humbën dhe emërtimin e dikurshëm nga kafene në bare sepse tingëllonte dhe me europiane. Baret janë sot mjediset ku gdhihemi dhe mbyllim ditët tona. Këto ambjente të zhurshme janë kthyer në vendet ku pushojmë, debatojmë, grindemi, përgjojmë, qajme hallet, bëjmë dashuri, bëjmë politikë, zgjidhim konflikte, dhe shumë e shumë “punë” të tjera.

Rituali ynë më i preferuar janë pikërisht kafenetë ku nisim dhe bitisim të gjitha punët tona. Ndaj kur te shihni njerëz të ulur në kafene mos mendoni se është humbje kohe, me siguri aty po diskutohet për ndonjë çështje serioze, sepse kafeneja është kthyer në një Institucion.

Top Channel