Plani “Juncker” për rilindjen e Europës

26/11/2014 00:00

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claud Juncker bëri publik planin e investimeve që shkon në 300 miliard euro dhe që sipas tij, do të shkundë nga gjumi ekonominë europiane.

Baza e mandatit të tij 5-vjeçar në krye të KE-së është Fondi Europian për Investimet Strategjike, për të cilin thotë se duhen 21 miliard euro që do të përdoren ëpr të stimuluar rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Juncker thotë se shuma prej 21 miliard eurosh do të përdoret për të stimuluar bizneset për të investuar deri në 15 herë më shumë se sa shuma në fjalë.

“Europa ka nevojë për një nisje të re në ekonomi dhe Komisioni sot po ju ofron këtë nisje të re”, deklaroi Juncker në fjalën e tij para Parlamentit Europian.

Baza e planit të Juncker është modernizimi i sistemit arsimor, atij shëndetësor dhe të ekonomisë në përgjithësi për të qenë më afër brezave të rinj duke shfrytëzuar teknologjinë.

Optimizmit të kreut të ri të KE-së, analistët i përgjigjen me skepticizëm. Sipas tyre nëse vërtet kërkohet që plani të bëjë diferencën, atëherë shuma e parave që do të duhen për t’u hedhur në formë stimulimi duhet të jetë shumë më e madhe.

Ndonëse me terma të tjera, fjala e Juncker një ditë më pas është në të njëjtën linjë me atë të Papa Françeskut, që kritikoi BE-në për mungesë protagonizmi dhe të lodhur nga teknikalitetet dhe burokracitë e institucioneve të saj. 

Top Channel