Braçe: Të rishikohen koncesionet. Janë monopol me kosto të larta

26/11/2014 00:00

Pasi bëri një rezyme të plote të buxhetit të vitit të ardhshëm, kryetari
i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë kërkoi nga Qeveria, rishkimin e
katër koncensioneve, atë të Pullave Fiskale, Ngjyrosjes së Karburanteve,
Kasave Fiskale dhe Kontrollit Teknik të Automjeteve.

Kjo eshte nje kerkese e perseritur e Erjon Braçes, qe prej kohesh konstaton se tregu eshte ne kushtet e monopolit dhe se koncesionet kanë rritur barrën fiskale për sipërmarrjen dhe qytetarët.

“Kemi kërkuar liberalizim të qartë të tregut. Nëqoftëse opozita e sotme, apo ish-qeveria e djeshme po bërtet sot për 160 milionë taksa të reja, duhet t’ju them që gjysma e vlerës së tyre është kostoja e këtyre koncesioneve në harkun e një viti. Duhet ta çlirojmë sipërmarrjen dhe qytetarin nga kjo barrë fiskale e panevojshme, që nuk sjell asnjë qindarkë të ardhur në buxhetin e shtetit dhe që arkëtohet në xhepat e ish-klientëve të Qeverisë së shkuar dhe të ish-pushtetarëve të këtij vendi”, theksoi Braçe

Kreu i Komisionit të Ekonomisë, kembëngul edhe per nje kontroll ndaj tregut te karburanteve, që po vijojne te mbajne çmime te larta edhe pse ne bursat nderkombetare ato kane rene. 

“Vazhdoj të inkurajoj Autoritetin e Konkurrencës për ta shtrirë deri në fund hetimin në tregun e karburantëve, për ta çliruar atë treg nga përqendrimi shumë i lartë që kontrollon edhe çmimet gjithnjë në rritje dhe duke mos reflektuar fare rënien e çmimit në bursat ndërkombëtare”, tha Braçe.

Si gjithe keto dite, pike e deklarates se kreut te Komisionit te Ekonomise ishte edhe aksioni i Qeverise kunder vjedhjes se energjise elektrike, ku Braçe ka akuzuar opozitën se po përkrah abuzuesit.

“Ftoj edhe një herë, luftëtarin më të madh kundër pagesës së energjisë elektrike, Sali Berishën, të tregojë kontratën e energjisë elektrike dhe faturat e paguara të energjisë elektrike. Ashtu siç atij që po bërtet më shumë për strukturimin e cmimit të energjisë elektrike, Lulzim Bashës, i kërkoj t’u tregojë qytetarëve se sa konsumon dhe të tregojë a përfiton apo jo nga ristrukturimi i energjisë elektrike. Po nuk e bënë këta, do ta bëj unë pastaj”, tha Braçe.

Top Channel