Dokumentari i familjes beratase që shpëtoi amerikanët

26/11/2014 00:00

Në qytetin e Beratit është promovuar një dokumentar historik kushtuar një familje të këtij qyteti që në Luftën e Dytë Botërore ndihmoi dhe shpëtoi një ekip ushtarak amerikan. Promovimi është bërë në prani të ambasadorit amerikanë në Tiranë.

Familja Stefa shpëtoi dhe shoqëroi drejt Italisë ushtarakët amerikanë pasi avioni i tyre u rrëzua në zonën e Elbasanit. Kontributi i tyre për vite me radhë nuk është përmendur kurrë, por tashmë me realizimin e këtij dokumentari hidhen në dritë fakte dhe dëshmi të ngjarjes.

“Ju falenderoj! Është një dokumentar i mrekullueshëm. Është ajo që ne e quajmë histori e gjallë,  histori e disa shqiptarëve të jashtëzakonshëm që ndihmuan ekipin e mjekëve dhe infermiereve amerikanë, avioni i të cilëve ishte goditur dhe rrëzuar. Pasi ka ndodhur ngjarja janë shkruajtur katër libra për historinë e familjes, por nuk ka pasur regjistrim në Shqipëri. Njerëzit kishin dëgjuar të flitej për këtë ngjarje, por nuk mund të flisnin për të pasi kushdo që mësohej se kishte ndihmuar amerikanët do të shihej si armik i klasës, do të përfundonte në burg, ose më keq akoma. Kjo ndodhi deri kur erdhi çrrënjosja e komunizmit dhe kjo histori erdhi në dritë. Për këtë arsye kemi qenë të gjithë të kënaqur që të tregojmë atë pjesë të shqiptarëve të guximshëm, disa prej të cilëve humbën jetën, ata janë heronjtë e vërtetë”, deklaroi për mediat, Ambasadori Amerikan, Aleksandër Arvizu.

Dokumentari u realizua pas një pune të gjatë kërkimore nga gazetarja Monika Stafa.

Top Channel