Dhuna ndaj femrave, në Hungari spoti shkakton polemika

26/11/2014 00:00

Publikimi i një spoti kundër dhunës ndaj grave në Hungari ka shkaktuar polemika dhe ka vendosur nën kritika ideatorët e tij.

Spoti është vepër e policisë hungareze, por në vend të ndërgjegjësimit kundër dhunës ndaj femrave dhe ndëshkimit të autorëve, spoti fajëson pjesërisht viktimat e përdhunimit, që i paralajmërojnë për “risqet e flirtimit, që mund të nxisë dhunë”.

Aktivistë të të drejtave të njeriut dhe grupe për të drejtat e grave dënuan mesazhin e përcjellë nga spoti, i publikuar në Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës ndaj Grave.

Reka Safrany, aktiviste e të drejtave të grave  thotë se fushatës kundër dhunës ndaj femrave i mungon dukshëm profesionalizmi dhe për këtë ajo kërkoi që mesazhe të tilla të mos publikohen pa marrë më parë mendimin e shoqatave dhe aktivisteve për të drejtat e grave.

Rasti në fjalë mbërrin katër ditë pas një tjetër mesazhi ndërgjegjësimi të shpërndarë po nga policia hungareze, ku sërish një pjesë e fajit për përdhunimin bie mbi viktimat e tij.

Me sloganin “mund ta nxitësh, ose mund ta shmangësh” në videon prej pak sekonda shihet fillimisht një grup vajzash në shoqërinë e disa djemve në gjendje të dehur dhe më pas njëra prej tyre përdhunohet nga një i huaj.

Top Channel