Këshilli i Evropës, përmes ndarjes së granteve për 36 komuna në shtatë
vende të Ballkanit, synon të eliminojë barrierat që hasin minoritet që
jetojnë në komunat me popullsi të përzier në Maqedoni, Bosnje, Serbi,
Kroacia, Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi.

Qëllimi i zbatimit të këtij projekti është që pjesëtarët e pakicave në këto vende t’i gëzojnë të drejtat e tyre në mënyrë të barabartë me të gjithë qytetarët.

“Një ndërhyrje e tillë që nuk është e vetme nuk shikohet si përgjigje për problemin por është një mënyrë deri diku inovatore eksperimentale ku Këshilli i Evropës në partneritet edhe me Komisionin Evropian përcjell një mesazh të fuqishëm që dy institucionet të rëndësishme bëhen bashkë  kur bëhet fjala për mbrojtjen e minoriteteve”, tha Juliana Hoxha, përfaqësuese e Kongresit të Këshillit të Europës.

Projekti i Këshillit të Evropës për avancimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e pakicave nga diskriminimi u promovua të mërkurën në Shkup. Ministri i Pushtetit Lokal në Maqedoni, Lirim Shabani pret që ky projekt, të përmirësojë lidhjet ndërmjet njerëzve, të ngrit nivelin e komunikimit dhe të ndërtojë ura ndërmjet pjesmatarëve të bashkësive të ndryshme etnike.

“Maqedonia, si nënshkruese e Konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, qëndron fort në parimet e saja se vetëm barabarësia mes njerëzve mund të sjellë lumturi te qytetarët, të sjellë respekt të ndërsjellë dhe përparim të kualitetit jetësorë”, tha Shabani.
 
Zbatimi i këtij projekti pritet që ti nxitë autoritetet lokale që të implementojnë në komunat e tyre normat dhe standardet evropiane për të drejtat e njeriut.

Top Channel