Rama merr “pincat”: Nuk ndalemi deri në këputjen e vjedhjes së fundit

26/11/2014 00:00

OSHEE ka nisur kontrollet në bizneset e vendosura në të dyja anët e
autostradës Tiranë-Durrës, ku në 20 raste është konstatuar vjedhje e
energjisë elektrike.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, iu bashkuan skuadrës së OSHEE-së, në operacionin e të mërkurës.

Elton Kristo, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tiranës, i shpjegoi Kryeministrit një rast biznesi të identifikuar si problematik dhe referuar Prokurorisë për ndjekje penale.

“Abonenti, një subjekt privat ka gjetur një mënyrë për të përfituar dhe atë ngarkesë që kishte në panel, e kishte kaluar me automat direkt me një kontratë tjetër që ishte si furrë buke. Gjithë ngarkesën që duhet ta paguante me 12.2 lekë, e paguante me 7.6 lekë. Pra, ai është shmangur detyrimit të tij për të paguar energjinë elektrike”, tha Kristo.

Kryeministri zhvilloi një bashkëbisedim me punonjësit e OSHEE-së, ku ndër të tjera u shpreh: “Ju duhet të jeni shumë të vetëdijshëm që keni në dorë një përgjegjësi të madhe kombëtare, që duhet ta mbajë secili në pjesën e vet të detyrës.Elektriçistë, lexues të matësve të energjisë, inxhinierë, gjithë çfarë jeni duhet të kryeni detyrën me vetëdijen më të lartë. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe të gjithë do të bëjnë detyrën dhe kush do të kapet në shkelje të detyrës do të paguajë sipas atyre që përcakton ligji”.

Edhe njëherë tjetër Rama shprehu angazhimin e Qeverisë për mos t’u tërhequr nga ky operacion.

“Ky është një operacion që nuk do të mbarojë dhe në këtë operacion kush do të dalë përpara si hajdut, qoftë nga ata që janë mësuar të konsumojnë energji në kurriz të tjerëve, qoftë nga ata në kompani, që janë mësuar t’i lexojnë sahatët për qejfin e hajdutëve do ndëshkohet pa asnjë tolerancë. Kjo lojë mbaroi. Eshtë koha tani që secili t’i shërbejë këtij vendi duke bërë thjesht dhe vetëm detyrën e vet, aq sa e ka. Nga unë i pari, tek më i fundit”, tha Rama.

Përfaqësues të bizneseve afër subjektit, ku ndodhi operacioni i OSHEE-së e kanë përshëndetur këtë aksion të Qeverisë.

Top Channel