Vidhen reliket e holokaustit

26/11/2014 00:00

8 këpucë të viktimave të holokaustit janë vjedhur nga një ish-kamp përqëndrimi në Poloni.

Sipas policisë, grabitja ka ndodhur në Muzeun e Majdanekut, pranë Lublinit, diku ndërmjet datave 18-20 nëntor.

Muzeu në fjalë është bërë edhe më parë skenë vjedhjesh të objekteve, që i përkisnin hebrenjve të vrarë, ndër të cilat edhe hiri i disave prej tyre dhe kësula e një të burgosuri.

Më shumë se 78.000 vetë u dërguan në dhomat e gazit të Majdanekut, të ndërtuara prej nazistëve në vitin 1941, e të braktisura në 1944-n. Zhdukja e këpucëve u kuptua vetëm kur një punonjës i muzeut vuri re, se rrjeta e telit mbi 56.000 këpucët e ekspozuara ishte prerë.

Siç shpjegojnë vetë autoritetet lokale, arsyeja përse muzeu e ka me aq rëndësi ekspozimin e objekteve personale të viktimave është t’iu tregohet vizitorëve shkalla e krimeve të nazizmit.

Sipas tyre, vjedhja përbën një humbje të madhe, pasi sendet e humbura kanë një vlerë të jashtëzakonshme historike. Kësula e një të burgosuri hebre, e vjedhur në 2013-n, u arrit të rikuperohej më vonë nga FBI-ja, pasi grabitësi kishte tentuar ta shiste në internet.

Sa për hirin e disa viktimave të marrë nga krematori i kampit në 1989-n, ai nuk u gjet më kurrë. Në muajin tetor, në mediat botërore pati gjithashtu jehonë të madhe vjedhja e mbishkrimit famëkeq nazist “puna të bën të lirë”, nga porta e hekurt e ish-kampit të përqëndrimit të Dakaut.

Top Channel